E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta takon metalurgët

Elbasan -Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Ilir Meta ka zhvilluar një takim me punonjësit e Kombinatit të Metalurgjisë në qytetin e Elbasanit. Duke shprehur keqardhje për gjendjen e tanishme të ambienteve të Metalurgjikut dhe për kapacitetin e ulët të prodhimit, z. Meta u shpreh se, - dikur Kombinati i Metalurgjikut ka qenë një nga kombinatet me të cilin ne krenoheshim, ndërsa sot është një gërmadhë. Dikur këtu, tha Meta, kanë punuar 12 mijë qytetarë, ndërsa sot është për të ardhur keq, sepse nuk punojnë as disa qindra, sepse dhe kompania aktuale që e ka sot ndjen shqetësimet e krizës ekonomike. Por Meta garantoi punonjësit e metalurgjikut duke thënë se, LSI-ja ka gjithë vullnetin e duhur dhe dëshirën për ta kthyer këtë zonë, në një nga zonat industriale më të rëndësishme jo vetëm të Elbasanit, por edhe të Shqipërisë.

Sipas Metës,- “LSI-ja ka një program të qartë për punësimin e qytetarëve të Elbasanit dhe qytetarët e gjithë Shqipërisë, sepse nuk mundet të dilet nga varfëria, nuk mund të përballohet kjo kosto e lartë e jetesës pa hapur vende të reja pune, pa krijuar mundësira të reja për zhvillimin e biznesit, për aktiviteteve të ndryshme dhe në radhë të parë të atyre aktiviteteve prodhuese.

“Kështu që ky do të jetë një prioritet i veçantë i yni, ashtu sikurse ne e dimë që këtu ka ende probleme me ndotjen. Dhe LSI-ja ka një program të veçantë për mbrojtjen e mjedisit, ku Elbasani hyn në një nga vendet që do të ketë prioritet të veçantë. Ndaj nuk është zgjidhja të mbyllin aktivitetet ekzistuese që kanë probleme të tilla, por zgjidhja është që këto kompani që punojnë me teknologji të vjetër ta zëvendësojnë këtë teknologji me teknologji të reja që janë miqësore me mjedisin. Dhe për këtë padyshim duhet dhe mbështetja, ndihma dhe kontributi i shtetit, ndaj ky është dhe programi ynë për këtë çështje”, shtoj ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›