E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet 2009, publikohet online lista e votuesve

Ministria e Brendshme realizoi dje publikimin online të listave të zgjedhësve për procesin elektoral të 28 qershorit. Ky dikaster sqaroi se të gjitha listat e zgjedhësve, të gjeneruara në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, u janë dërguar të gjitha njësive vendore për t‘ua bërë publike më pas shtetasve shqiptarë. "Listat e zgjedhësve, duke filluar nga dita e sotme, janë të vlefshme edhe për Komisionin Qendror Zgjedhor, sikurse parashikohet në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, në përputhje edhe me udhëzimin e ministrit të Brendshëm", nënvizoi zëvendësministri Ferdinand Poni. Çdo shtetas do të mund të gjejë përmes faqes së internetit, apo pranë njësisë vendore përkatëse, adresën zgjedhore, qendrën e votimit ku do të votojnë, si dhe njësinë përkatëse. Për të bërë këtë duhet të hapet adresa e internetit e Ministrisë së Brendshme, ose Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Te hapësira e rezervuar për listat e votuesve në 2009-ën kanë mundësinë për të kërkuar emrin e tyre. "Nxjerrja e listave në web-in e ministrisë në kohë dhe kaq saktësisht është një ndihmë e madhe dhe një tjetër plotësim i standardeve të kërkuara nga Kodi Zgjedhor për zgjedhjet që shqiptarët i presin aq shumë të jenë të standardeve të larta", u shpreh Poni. Zyrtarët e ministrisë u bëjnë sakaq apel krerëve të njësive vendore që të zbatojnë direktivat për të lehtësuar funksionimin e kësaj etape të përgatitjes së procesit zgjedhor. Nga ana tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka intensifikuar tanimë mbledhjet e tij dhe vendimmarrjen. Teksa kanë mbetur vetëm tre muaj nga zgjedhjet e ardhshme, opozita gjithsesi ngre zërin se përgatitjet nuk po shoqërohen me transparencën e duhur. Përtej problemeve me listat, opozitarët janë përqendruar te mosfunksionimi i procesit të lëshimit të kartave të identitetit. Kategoria që mbetet më problematike është ajo e personave që ende nuk zotërojnë një pasaportë udhëtimi, e që në mungesë të kartës do të mbeten jashtë votimit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›