Meta takon zv/sekretarin e Shtetit të SHBA-së
Vizita e ministrit të Jashtëm shqiptar në SHBA ka njohur si pikën më të lartë protokollare takimin me zv.sekretarin amerikan të Shtetit, James B. Steinberg. Sipas njoftimeve zyrtare të Ministrisë së Jashtme, takimi është përqendruar në çështje të bashkëpunimit dypalësh në kontekstin e gjerë të forcimit të sigurisë ndërkombëtare. Vetë titullari shqiptar nuk ka munguar të shprehet me tone optimiste për bisedën e zhvilluar me Steinberg, duke nënvizuar se takimi ka shërbyer për forcimin e klimës rajonale të sigurisë. “Kjo vizitë i shërben jo vetëm rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve, por edhe rritjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit, i cili ka tashmë një të ardhme të sigurt drejt Bashkimit Europian”, citohet Meta sipas njoftimeve zyrtare të Ministrisë së Jashtme. Zbardhja e qëndrimeve zyrtare lidhur me takimin bëjnë me dije se diskutimi ka prekur edhe çështje të sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, ku padyshim problemi i Kosovës ka qenë një nga pikat kryesore. Vizita në Preshevë ka qenë një nga elementët e informacionit të ministrit shqiptar për zv.sekretarin e Shtetit. Për më shumë, Meta ka konfirmuar gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar me pjesëmarrje aktive në misionet ndërkombëtare të sigurisë, një hap ky përpara po të mbahet parasysh roli i deritanishëm në misione vetëm me karakter paqeruajtës. Afganistani është bërë i njohur si një destinacion fillestar, meqenëse siç edhe dihet në këtë vend po konsumohet angazhimi kryesor ushtarak i SHBA.
Nga ana tjetër duhet nënvizuar se në lidhje me problemet e sigurisë, Shqipëria së fundmi është përfshirë nga një debat i brendshëm që buron nga projektligji i ri për shërbimet sekrete. Një prononcim i ambasadorit amerikan, Withers, në Tiranë për këtë problem mund të shihet si një qëndrim që me gjasë pasqyron jehonën e shqetësimeve politike amerikane, zanafilla e të cilave natyrisht që do kërkuar në Departamentin e Shtetit.
#