E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta zhvillon takime me përfaqësuesit e komunitetit serb

Z. Meta përshëndeti pjesëmarrjen e gjerë të komunitetit serb në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit, dhe theksoi se kjo do t’i shërbejë integrimit të mëtejshëm të tyre në institucionet e qeverisjes lokale e qendrore.

 Ai shprehu bindjen se kjo klimë e qetë e paqësore do të ndihmojë në kthimin e personave të shpërngulur të komunitetit serb.

 Z. Meta theksoi se bashkëpunimi dhe dialogu konstruktiv i shërben së pari interesave të të gjithë serbëve të Kosovës si dhe të ardhmes evropiane të shtetit të ri. Në këtë kuadër, ai u shpreh se komuniteti serb në Kosovë përbën një aset shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës evropiane, dhe nënvizoi se duhet parë nga e ardhmja, integrimi dhe përfaqësimi i tyre në të gjithë jetën dhe institucionet e vendit.

 Në këtë kontekts, ai premtoi se Qeveria e Shqipërisë do të japë kontributin e saj për ndërtimin e shtëpive për të kthyerit ose për ndërtimin e objekteve social-kulturore në komunat me shumicë serbe.

Z. Petroviç dhe z. Rasiç falënderuan z. Meta për takimin që u rezervoi përfaqësuesve të komunitetit serb në Kosovë, dhe i uruan në gjuhën shqipe “Mirëseardhët në Prishtinë”. Me këtë rast ata vlerësuan se kontributi i Shqipërisë në procesin e kthimit është një veprim tepër i mirëpritur nga ana e tyre.

Në vijim të vizitës së tij në Kosovë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, u takua dhe me përfaqësuesin e komunitetit turk, në Kosovë, Mahir Yağcilar, Ministër i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor. Z. Meta dhe z. Yağcilar  vlerësuan rëndësinë e madhe të zhvillimit të qetë dhe brenda standardeve të raundit të parë të zgjedhjeve lokale. Gjithashtu, ata ndanë besimin se në të ardhmen, priten njohje të reja për shtetin e pavarur të Kosovës.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›