E Shtunë, 31 Tetor 2026

Metalurgët në grevë kundër zëvendësimit me punëtorë turq

ELBASAN- Hidhen në protestë punëtorët e Uzinës së Prodhimit të Çeliqeve në Elbasan. Dje në mëngjes qindra punëtorë të firmës turke ‘Kurum’ u grumbulluan para ambienteve të uzinës për të kundërshtuar shkurtimet nga puna dhe zëvendësimin e punëtorëve shqiptarë me ata turq. Në mbështetje të punëtorëve ka qenë edhe Federata e Industrisë dhe Energjetikës si dhe sindikata. Sipas presidentit të kësaj federate, Taf Koleci, “punëtorët zhvilluan grevë njëorëshe në prag të lidhjes së kontratës kolektive të punës”. Sipas tij, firma ka në projekt të shkurtojë 70 vetë, ndërkohë që duhet të respektojë kontratën për punësimin e punëtorëve shqiptarë, kodin e punës dhe përmirësimin e kushteve në punë. “Pala turke ka ndërmend të shkurtojë 70-80 punëtorë, tani kur pritet të lidhen kontrata kolektive e punës. Punëtorët kanë kundërshtuar dhe ne jemi këtu në mbështetje të tyre. Veç kësaj, në këtë uzinë po ndodh që punëtorët shqiptarë të zëvendësohen me ata turq. Kjo vërtet është një firmë koncesionare, por një nga pikat e kontratës është edhe punësimi i punëtorëve shqiptarë. Një gjë e tillë nuk po ndodh, madje firma ka importuar emigrantë nga vendi i saj”. Metalurgët pohojnë të indinjuar se firma po i diskriminon, jo vetëm duke i hequr nga puna e duke sjellë punëtorë turq, por edhe duke i caktuar të punojnë në sektorët më të vështirë. “Firma ka ndërmend të sjellë 80 punëtorë të rinj”, shprehet një metalurg. “Ka 12 vjet që ankohet se del me humbje edhe pse sot prodhon 1500 tonë çelik në ditë. Po kështu raporti është fyes, pasi 2 metalurgë që punojnë në sektorët më të vështirë kontrollohen nga 4 specialistë turq, që lyejnë hekurat me bojë”. Presidenti i federatës është shprehur se firma duhet të respektojë Kodin e Punës, të përmirësojë kushtet e sigurimit teknik në punë dhe të rrisë pagën, duke e përshtatur gjithnjë me inflacionin dhe realitetin. Punëtorët dhe federata kanë kërcënuar se, nëse kërkesat e tyre nuk merren në konsideratë, greva do të përshkallëzohet në ditët në vijim. F.S.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›