Vdes fëmija dy muajsh, ende të paqarta arsyet
KORÇË- Një foshnje 2-muajshe e seksit mashkull në qytetin e Korçës ka gjetur vdekjen në rrethana ende të paqarta, ndërsa prokuroria e rrethit ka nisur hetimet. Nëna e foshnjës Nexhmije Lulo, 23-vjeçe, tregon se ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e prindërve të saj, ku ajo ishte vendosur prej tri ditësh pas një zënke me bashkëshortin. Ajo thotë se në momentin e vdekjes së fëmijës nuk ka qenë në shtëpi, ndërsa ai është dërguar i vdekur në Spitalin Pediatrik nga daja e tij 15-vjeçar.
Varianti zyrtar
Sipas komunikatës për shtyp të policisë së Korçës, mësohet se dy ditë më parë në orët e drekës është marrë njoftim nga pavijoni i pediatrisë të këtij qyteti se është çuar një fëmijë i moshës 2 muajsh i vdekur. Menjëherë është formuar grupi hetimor, pjesëtarët e të cilit kanë shkuar në spital, ku është konstatuar se është sjellë i vdekur shtetasi M. L. 2 muajsh, banues në lagjen nr 6 Korçë. Nga deklarimet e marra prej familjarëve të tij rezulton se foshnja ishte ndjerë keq në banesë dhe nuk po reagonte në momentin që familjarët po e dërgonin në spital. Gjithashtu, nga deklarimet e tyre del se foshnja kishte rreth një jave që ishte i sëmurë me të ftohtë. Nga këqyrja e kufomës nuk rezultoi që të kishte dëmtime të jashtme dhe në këtë rast kemi të bëjmë me një vdekje natyrale.
Dëshmia
“Zbrita nga tezja për 10 minuta, vjen vëllai, thotë hajde se të vdiq djali, kaq di unë, s’di më tepër. Djali kishte pak kollë, po unë i jepja mjekime, shurupin për dhimbje barku, nuk e kisha çuar në spital”, - shprehet nëna e foshnjës. 23-vjeçarja tregon se nuk ka pasur kushte për rritjen e foshnjës dhe se e mbanin atë në një ambient të ftohtë, ndërsa ende nuk ka një përgjigje të autopsisë. Ndërsa gjyshja e fëmijës deklaron se fëmija nuk ishte i sëmurë dhe e quan vdekjen të dyshimtë. “Kur hyn në Pediatri unë i them doktorit të shoh fëmijën e vdekur. E kam parë të shkumbavitur dhe të nxirë. Tani një zot e di, unë nuk e di nga se ka vdekur fëmija, këtë e di e ëma, që e ka lënë dhe ka ikur, e ka lënë në duart e një 15-vjeçari. Unë tani dua të di të drejtën e fëmijës tim, se e kam të evlatit”, shprehet gjyshja. Jashtë kamerës edhe mjekja e familjes shprehet se fëmija gëzonte shëndet të plotë pas një bronkopneumonie të marrë në javët e para të ardhjes në jetë. Ndërkaq, polica e Korçës ka nisur hetimet për zbardhjen e mëtejshme të rrethanave të vdekjes së foshnjës dymuajshe.