Shkodër, filialet e postave pa kuponë 200 lekësh, vijon shitja me 1200 lekë
Vendimi i fundit i qeverisë shqiptare për të aplikuar me kartat e identitetit në bazë të pagesës vetëm prej 200 lekësh të reja nuk po aplikohet në Shkodër. Edhe pse ditën e djeshme duhet të niste zbatimi i vendimit të Ministrisë së Financave për shpërndarjen e kuponëve me 200 lekë, nga një vëzhgim i gazetës SOT në sportelet e postës në Shkodër kuponët kanë vijuar të shiten me 1200 lekë të rinj. Në filialin e postës në Shkodër mësohet se nuk kanë arritur as udhëzimet dhe as kuponët me vlerën prej 200 lekësh.
Sportelistët nuk pranojnë të sqarojnë më shumë detaje se pse nuk ka nisur zbatimi i vendimit dhe udhëzimit për të filluar kjo procedurë që ditën e hënë më 4 maj, të gjitha filialet e postës shqiptare e dinin se Ministria e Financave kishte udhëzuar që të fillonin procedurat për shpërndarjen e kuponit me çmimin 200 lekë të rinj, por edhe ditën e djeshme në sportele vazhdonte shitja e kuponëve me 1200 lekë. Kjo situatë ka nervozuar shumë prej aplikuesve për kartat e identitetit. Kurse në Postë ata janë sqaruar se nuk kishin udhëzimin përkatës dhe nuk kishin as kuponët me vlerë të re prej 200 lekësh. Në këtë mënyrë, me sa duket në rrethe vjen me vonesë edhe vendimi i qeverisë dhe tani çdo gjë shkon me idenë e pritjes, apo edhe të konceptit nëse do të rimbursohen apo jo, diferencat edhe të pagesës në ditët kur vendimi i qeverisë shqiptare ka hyrë në fuqi. Në postë u deklarua nga sportelistët se nuk ishte faji i tyre dhe se po të vinte vendimi dhe kuponi ato do ta zbatonin menjëherë, por këtë nuk mund ta bënin pa pasur kurrfarë ligji dhe shkrese zyrtare në dorë. Aktualisht mësohet se ende është një kategori sociale dhe një numër i madh njerëzish që presin për aplikim, por që në Shkodër duket se do të vijojnë ta paguajnë 1200 lekë kuponin, pavarësisht vendimeve të Qeverisë.