Hondel: Të përkthehet legjislacioni shqiptar, më pas shqyrtimi i kërkesës për BE
Pas dorëzimit zyrtarisht nga kryeministri Berisha të kërkesës së aplikimit për vendin kandidat në BE, ndërkombëtarët kanë shfaqur mendimet e tyre lidhur me këtë aplikim. Gjithsesi, ndërkombëtarët shohin si elementin kyç të këtij aplikimi, realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, edhe pse kjo procedurë mund të miratohet vetëm gjatë presidencës së ardhshme.
Drejtori politik i Komisionit Evropian, Tomas Van Hondel, ka theksuar se kërkesa e Shqipërisë për vend kandidat në Bashkimin Europian do të shqyrtohet vetëm pasi Shqipëria të përkthejë legjislacionin e saj në anglisht. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë komisioni do të jetë i aftë të vlerësojë progresin dhe për rrjedhojë kërkesën. Pas aplikimit të Shqipërisë në BE, hapi i radhës është që komisionit të përgatisë një vlerësimin për këtë kërkesë. Por që komisioni të jetë i aftë të nisë shqyrtimin duhet që legjislacioni shqiptar të përkthehet në anglisht. Vetëm kështu mund të bëjmë vlerësimin konkret të progresit që keni bërë deri tani. Por kjo procedurë do të hajë disa vjet kohë shprehet Van Hondel. Ndërkohë pjesa e mbetur e aki komunite, përkthimit të legjislacionit evropian për palën shqiptare do të kryhet nga Maqedonia dhe Kosova. Të tre vendet do të përgatisin një version kombëtar të akisë në shqip. Ndërkohë pak ditë më parë, komisioneri për Zgjerimin Olli Rehn, ka veçuar se në bazë të zhvillimit të zgjedhjeve të qershorit varet edhe opinioni i Komisionit mbi gatishmërinë e Shqipërisë për tu bërë vend kandidat e për të nisur negociatat e anëtarësimit. Duke lënë të nënkuptohet se kjo procedurë do të nis vetëm pasi zgjedhjet e 28 qershorit të kalojnë provën e zjarrit. Është absolutisht thelbësore që ato të jenë të lira, të ndershme dhe që të përmbushin standardet ndërkombëtare. Më pas, në kohën e duhur, Këshilli do ti kërkojë Komisionit të përgatisë opinionin mbi gatishmërinë e Shqipërisë për tu bërë vend kandidat e për të nisur negociatat e anëtarësimit. Për Komisionin, ky proces me vendet e tjera të Ballkanit ka marrë të paktën një vit, madje një vit e gjysmë për të përgatitur opinionin. Është e vështirë të thuhet paraprakisht, pasi ne duam që të sigurojmë se kemi të bëjmë me produkt të cilësisë së lartë, ndaj duhet ta bëjmë mirë e siç duhet, ka deklaruar Rehn. Nëpërmjet një interviste televizive, ai ka theksuar se janë mbajtur kontakte të rregullta me qeverinë shqiptare për synimet e Shqipërisë, duke veçuar në këtë drejtim ndjekjen e një rregulloreje dhe nisjen e punës sapo Këshilli të kërkojë përgatitjen e një opinioni.