E Diel, 1 Nëntor 2026

Mianmar 15 000 viktima nga cikloni

Cikloni Nargis e ka futur ish-Birmaninë (tani Mianmar) në një gjendje të jashtëzakonshme me një bilanc viktimash prej rreth 15 000 personash.

Cikloni i furishëm ka shkatërruar fshatra të tërë, duke marrë mijëra jetë. Ministri birman i Punëve të Jashtme, Nyan Uin tha se deri tani, numri i viktimave të konfirmuara është mbi 4 000 ndërsa rreth 3 000 numërohen të zhdukur. Por, ai shton se numri i viktimave pritet të jetë më i lartë se 10 000. Sipas agjencisë “Kina e re”, të vdekur janë mbi 15 000. I ardhur nga Gjiri i Bengalit dhe i karakterizuar si i kategorisë së tretë, cikloni ka shkatërruar jugun e Mianmarit me erëra shumë të dhunshme, me shpejtësi deri në 240 km/orë. Dëme të mëdha janë shkaktuar në shumë fshatra dhe qytete, ku në disa prej tyre është shkatërruar 70 për qind e territorit dhe ndërtesave dhe pothuajse, në të gjithë jugun është ndërprerë linja e telekomunikimit dhe elektriciteti. Pesë rajone: Rangon, Irrauaddy, Pegu, Mon dhe Karen kanë deklaruar gjendje të jashtëzakonshme. Në deltën e lumit Irrauaddy, situata vazhdon të përkeqësohet dhe nuk dihet se sa do të shkojë numri i viktimave deri në përfundim të ciklonit. Sipas disa burimeve për mediat, pjesa më e madhe e viktimave kanë qenë në zonën e Bogalay dhe në Laputta. Në ishullin e Haing Kyi, në zonën Ayeyauaddy, të paktën 20 000 shtëpi janë shkatërruar, duke lënë të pastrehë mbi 92 000 persona. Një zëdhënës i OKB në Bangkok ka pohuar se, autoritete ushtarake birmane kanë lejuar Kombet e Bashkuara të dërgojnë ndihma emergjente në vend pas katastrofës natyrale. Ndihmat e para u nisën që dje. Një apel për komunitetin ndërkombëtar për të dërguar ndihma në këtë vend është bërë nga Tajlanda, edhe nga njerëzit e strehuar atje për azil politik nga Birmania.

Referendumi
Qeveria birmane ka vendosur që referendumi kushtetues i parashikuar për më 10 maj nuk do të shtyhet, megjithëse situata në vend është e jashtëzakonshme dhe emergjente, e shkaktuar nga cikloni i fundit që shkaktoi mijëra të vdekur. Vendimi lexohet në faqen zyrtare birmane. “Referendumi do të mbahet pas pak ditësh dhe populli pret me padurim takimin”, shkruan e përditshmja ‘Neë Light’, e kontrolluar nga ushtria në fuqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›