E Diel, 1 Nëntor 2026

“Trafiku i organeve, Prishtina dhe Tirana të nisin hetimet”

Grupe ndërkombëtare së të drejtave të njeriut kanë kërkuar nga Shqipëria dhe nga Kosova zyrtare, që të hetojnë seriozisht mbi deklaratat e bëra në librin e Karla del Pontes.

Në të thuhet se në malet shqiptare, kosovarët kanë dërguar 300 serbë, të cilëve u janë marrë e shitur organet para se të vriteshin. Sipas “Human Rights Watch”, ka disa “Informacione shtesë në sipërfaqe që sforcojnë dyshimet për rrëmbimin e disa personave dhe transferimin e tyre përtej kufirit në Shqipëri pas luftës në Kosovë. Dyshime serioze dhe të qëndrueshme kanë dalë në sipërfaqe për keqtrajtimet e tmerrshme që kanë ndodhur në Kosovë dhe në Shqipëri pas luftës”, ka thënë Fred Abrahams, studiues në HRW. Sipas tij, “qeveritë në Prishtinë dhe Tiranë tani duhet të dëshmojnë përkushtimin e tyre mbi drejtësinë dhe sundimin e ligjit, duke zhvilluar hetime të duhura”. Dyshimet u bënë publike në librin e fundit të Karla Del Pontes, ish-kryeprokurores së Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Grupi HRW thotë se, ka në duar informacione dhe dokumentacion të pavarur që ofrojnë bazë për atë që Del Ponte shkruan mbi abuzimet e pasluftës në Kosovë, në librin që mban titullin “Gjahu: Kriminelët e luftës dhe unë”. Del Ponte në këtë libër i referohej burimeve gazetareske tek disa njerëz që ajo kishte besim, por shkruan se, këto dyshime nuk u vërtetuan kurrë, pasi nuk ka pasur mundësi hetimi deri në fund. Tirana dhe Prishtina zyrtare i kanë hedhur poshtë akuzat se mund të ketë ndodhur një akt i tillë. Zyrtarë së të dy vendeve i kanë quajtur këto deklarata të publikuara si hipoteza në ajër. Ministri i Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, i vlerësoi akuzat si “amorale dhe të pabaza”. Ndërsa serbë gjatë konfliktit të vitit 1999 janë zhdukur vetëm rreth 300, Kosova kërkon ende trupat e mbi 2 300 personave për të cilët autoritetet serbe kanë mbyllur sytë. Një delegacion i lartë nga Kosova dhe një tjetër nga Serbia janë mbledhur për të hetuar dhe zgjidhur fillin që kanë pasur këta njerëz, deri tani pa asnjë rrugëzgjidhje. Edhe ekspertë ndërkombëtarë pohojnë se, ato që shkruhen në librin e Del Pontes janë thjesht supozime, pasi në malet e Shqipërisë nuk ka pasur asnjë shans për krijimin e kushteve teknike dhe mjekësore të domosdoshme për të marrë dhe transportuar organe të vlefshme për transplant. Megjithatë HRW insiston se, “Informacionet mbi trafikimin e organeve janë sugjestive, por janë larg së qenit të kompletuara por është fakt se qindra njerëz, shumica prej tyre serbë, janë raportuar si të zhdukur pas luftës. Qeveria në Kosovë dhe ajo në Shqipëri duhet të bëjnë përpjekje të përcaktojnë fatin e këtyre njerëzve, duke nisur hetime serioze me mbrojtje adekuate të dëshmitarëve”, thuhet në deklaratën e hetuesit të HRW. “Human Rights Watch” thotë se, ka folur veç e veç me dy persona që kanë qenë prezent gjatë vizitës së hetuesve të Gjykatës së Hagës dhe të UNMIK-ut në shtëpinë e përfolur në Burrel për trafikim organesh dhe që të dy kanë mbështetur rrëfimin e përshkruar në librin e Del Pontes. Abrahams citon se, qeveria serbe mbase me të drejtë është duke u ankuar për rrëmbimet e raportuara, por e njëjta qeveri ka dështuar të bashkëpunojë për të zbardhur fatin e një numri shumë më të madh të kosovarëve të  zhdukur që prej luftës.

Tadiç merr kërcënime me vdekje

Zyrtarët dhe mediat serbe kanë raportuar se, presidenti i Serbisë, Boris Tadiç ka marrë kërcënime me vdekje. Lajmi është konfirmuar nga anëtari i qeverisë serbe, Mllagjan Dinkiç, i cili është njëherësh edhe anëtar i partisë së presidentit serb. Ai tha se kërcënimet janë “serioze”, por nuk pranoi të jepte detaje të mëtejshme. Mediat serbe njoftojnë se Tadiç ka marrë një letër, ku akuzohet për tradhti dhe se meriton “një plumb ballit”. Letra dyshohet të jetë dërguar nga ultranacionalistët e Tomisllav Nikoliçit, pasuesit të gjeneralit Sheshel, i cili po gjykohet në Hagë për krime lufte. Para fundjavës së kaluar në rrugët e Beogradit u përhapën postera me foton e Tadiç kur nënshkruante MSA-në me BE-në me mbishkrimin “armik i popullit”. Nacionalistët e përshkruajnë nënshkrimin e MSA-së me Bashkimin e Evropian si një nënshkrim të nënkuptuar të pavarësisë së Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›