E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Mig-19", pushohet dosja, ska të pandehur

29/12/2004  

Askush nuk akuzohet për tragjedinë ajrore, e cila u dha fund epokës së MIG-ëve në Shqipëri

Trashgim Sokolaj

TIRANË – Kur MIG-ët fluturuan mbi Tiranë me rastin e festave të nëntorit, ngjarja u cilësua e veçantë, sepse askush nuk priste t’i shihte në qiell ata, avionët që na kishin “mbrojtur”. Gjithçka ndodhte pas zhurmës, në fund të së cilës u kuptua fort mirë se epoka e MIG-ëve ka shkuar. Por faji mbetet jetim. Një pilot i humbur, dy fëmijë pa babain e tyre, një epokë avionësh e mbyllur dhe një dosje e pushuar. I gjithë hetimi i filluar me vullnetin e Prokurorisë Ushtarake, për të zbardhur shkaqet e rrëzimit të avionit luftarak MIG-19, do të pushohet. Asnjë i dyshuar, pa të pandehur dhe me asnjë të akuzuar. Kjo është gjithçka ka ndodhur me dosjen hetimore “MIG-19”, pas gati tre muajsh ekspertiza. Burime nga Prokuroria Ushtarake, pohuan dje për gazetën “Metropol”, se hetimi për tragjedinë ajrore të 16 shtatorit, ku humbi jetën majori 46-vjeçar Jani Tarifa, do të pushohet muajin e parë të vitit të ardhshëm. Një dosje e mbyllur jo me mungesën e vullnetit të Prokurorisë, aq sa për shkak të vështirësisë që mbart hetimi i një ngjarje, ku implikohen tendera karburantesh e vaji, apo blerje e shitje avionësh luftarakë dhe fonde për mirëmbajtjen e tyre apo të pajisjeve.

Hetimi

Dy akuza të ngritura nga Pokuroria Ushtarake prej ditës kur filluan hetimet, nuk kanë kujt i adresohen. Një numër i madh ekspertizash për çdo pjesë të avionit, vajin, karburantet, kasetën filmike, deklarimet e dëshmitarëve dhe bisedën mes kullës së vrojtimit dhe kabinës komanduese të avionit, ku është i përmbledhur hetimi i Prokurorisë për tragjedinë, e cila ndodhi në aeroportin e Rinasit, në datë 16 shtator të këtij viti, teksa Jani Tarifa përpiqej të ngrinte avionin e tij, i cili pas 20 metra ngritjeje pësoi “defekt teknologjik”. Sipas ekspertizave, vaji dhe karburantet kanë rezultuar të pafajshme. Gjendja e avionit e përshtatshme. Instruksionet e ngritjes të rregullta. Në krye të 20 metrave ngritje, avioni pëson një anim në të majtë, pastaj në të djathtë dhe sërish majtas, kësaj here derisa prek tokën dhe digjet bashkë me armatimin luftarak.

Tragjedia

Ora 08.00, data 16 shtator. Jani Tarifa prej 16 vitesh pilot i MIG-ëve bashkë me tre kolegë të tij, kontrollojnë avionët për fluturim gjuajtës. Kontrolli i mëparshëm ishte kryer shtatë ditë më parë, në datën 9 shtator. Pas gjysmë ore, pilotët bëhen gati për të nisur fluturimin drejt fshatit Reth-Greth të Kavajës, ku ndodhet poligoni. 20 minuta pas kësaj, pilotët ngjiten në kabinat e aeroplanëve të tyre, pasi marrin urdhrin e nisjes nga kulla e drejtimit. Në ora 08.55, nisen të parët pilotët Arianit Rushiti me MIG 19, më pas avioni UTI-MIG 17, me Lili Gjecin dhe pilotin e ri, Shpëtim Collodea. Tri minuta pas avionëve të parë niset MIG 19, me Jani Tarifën në bord. Pak sekonda më pas, ai jep njoftimin e parë për kullën se ka probleme. Brenda 20 sekondave MIG-u i drejtuar nga Tarifa, pasi ngjitet në lartësinë 20-30 metra humb drejtimin dhe bie në pjesen jugore të aeroportit të Rinasit. Ministria e Mbrojtjes në një seancë me Komisionin e Mbrojtjes, tha se shkaku i tragjedisë kishte qenë njerëzor, suke aluduar mbi pilotin. Por Prokuroria, ekspertizat dhe provat e hodhën poshtë këtë version, duke shkuar në përfundimin se shkaku i rrëzimit ishte defekti teknologjik, si pasojë e orëve të tepërta të fluturimit që kishte bërë avioni i ardhur në Shqipëri në vitin 1974.

Dëshmia: “Janit i kishte

mbetur vetëm dora”

Algrend Sela, 17-vjeçar, ka dëshmuar se kur është rrëzuar "MIG 19" ka qenë në shtëpi, ndërsa ka dëgjuar zhurmën e avionit që shpërthente. "Kam dalë nga shtëpia dhe jam drejtuar te vendi ku u dëgjua zhurma. Pashë se dilte flakë dhe tym, por nuk u afrova, se thuajse çdo sekondë aty dëgjoheshin shpërthime, për shkak të djegies së barutit të predhave". Një dëshmitar tjetër i vendit të ngjarjes, rreth të 15 viteve, Edrin Hysa, tregon se në njërin mur të banesës pranë së cilës ra avioni, një nga predhat shpërtheu, duke e dëmtuar atë. Më tej, Edrini tregon se ka parë nga afër flakët për 20 minuta. “Kur zjarrfikëset dhe njerëzit e shumtë të ndihmës së shpejtë, por edhe shumë kureshtarë mundën të shuajnë zjarrin, thuajse asgjë nuk kishte mbetur nga trupi i pilotit Tarifa, i cili ishte karbonizuar thuajse i tëri”, vijon dëshmia. Sipas saj, në momentin kur forcat e ndihmës së shpejtë kishin nxjerrë trupin nga avioni, dukej vetëm një pjesë dore e padjegur, por e përcëlluar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›