E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shtyhet në janar zgjedhja e kreut të PD-së Tiranë

29/12/2004  Shtyhet sërish mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike, e cila do të duhej të vendoste për emrat e kandidatëve për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës, duke e lënë këtë proces për vitin tjetër. Sipas burimeve në Kryesinë e PD-së, emrat e kandidatëve, që do të konkurrojnë për këtë post do të vendosen në janar, muaj në të cilin pritet të zhvillohet dhe Konferenca e Tiranës. Sipas të njëjtave burime, kryesia e PD-së së kryeqytetit i ka dërguar emrat e konkurrentëve për kryetarë, në Kryesinë qendrore dhe tashmë pritet vetëm miratimi. Bamir Topi, Spartak Ngjela, Besnik Mustafaj, Omer Stringa, Bujar Nishani, Aleksandër Biberaj, Sokol Olldashi dhe Fatos Beja, janë emrat që 16 nëndegët e Tiranës kanë propozuar për vendin që aktualisht e mban Vili Minarolli. Konkurrenca për kreun e PD-së së Tiranës pritet të ngjallë dhe debate mes krerëve të kryesisë për vetë peshën specifike që ka kryeqyteti. Vetëm qyteti i Tiranës ka 11 zona elektorale pa llogaritur numrin e madh të votuesve, që ka një rol dominant në proporcional. Gjithsesi, pavarësisht emrave të propozuar nga nëndegët e PD-së, sërish ato mund të rrëzohen nga Kryesia qendrore dhe në vend të tyre të dalin emra të rinj. Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, Spartak Ngjela, njëkohësisht dhe një ndër favoritët kryesorë për këtë post, në një prononcim të para disa ditëve tha se kryetari i PD-së është një post i lartë politik, duke lënë të kuptohet se lista e kandidatëve mund të ndryshohet gjatë mbledhjes së Kryesisë. Dilemës për përzgjedhjen e kësaj kandidature i shtohen dhe rezultatet në zgjedhjet e fundit për zgjedhjet lokale, ku krerët e PD-së së Tiranës morën jo pak kritika. Konferenca e Tiranës pritej të mblidhej brenda dhjetorit për të zgjedhur kreun e ri të PD-së Tiranë. Por duket se problemet e Kodit Zgjedhor dhe ndarjes zonale si dhe impenjimet e kreut Berisha në festimet e fundvitit janë shkaku që shtynë këtë proces. Duket se do të jetë janari ai që do të vendosë për datën e saktë të konferencës, ku do të jepen direktivat më konkrete. Ndërkohë, në muajin e parë të vitit 2005 do të mësohen emrat e kryetarëve të degëve të tjera të mëdha në rrethe, të cilat nuk kanë bërë akoma zëvendësimet e krerëve aktualë. Berati, Elbasani, Fieri dhe Shkodra, janë degët që janë në fazën e përzgjedhjes, ndërsa në pjesën dërrmuese të degëve në qytetet e vogla kanë përfunduar zgjedhjet. Kjo, duke përjashtuar Gramshin, Hasin, Peqinin dhe Tropojën. Të njëjtat burime shprehen se kjo është e vetmja fazë ku nuk do të përfshihen përfaqësuesit e shoqërisë civile, pasi në bazë të statutit të PD-së, në strukturat drejtuese të partisë krerët e degëve të PD-së duhet të jenë patjetër anëtarë partie.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›