Mijëra kilometra, për ta parë ekipin e zemrës
Diego Guerra i la rrezet e diellit në Rio de Janeiro, për ta marrë rrugën prej më shumë se 9,000 kilometrash, vetëm e vetëm për të shkuar në qytetin britanik, Lancashire, duke e realizuar ëndrrën e tij, për ta parë ‘live’ duke luajtur ekipin nga League Two (liga e katërt angleze).
Dhe, edhe pse ekipi i tij i zemrës humbi me rezultat 2:0, 24-vjeçari thotë se ëndrra e tij u bë realitet më në fund, pasi i pa duke luajtur në Crown Ground.
“Unë me të vërtetë i pëlqej fansat e Accrington Stanley. Unë i dëgjova fansat e Crewe vetëm kur e shënuan golin. Stanley nuk ndaleshin së kënduari gjatë tërë ndeshjen. Fansat e këtij klubi ma kanë dhënë po ashtu një shall gjatë ndeshjes”, deklaroi Guerra për tabloidin britanik ‘The Sun’.
Ai filloi ta ndiente dashurinë e parë për ekipin anglez, kur e shikonte atë duke e mposhtur Nottingham Forestin me rezultat 1:0, në Carling Cup në vitin 2006.
“E kujtoj kur e shikova ndeshjen e kupës në internet dhe komentatori fliste për historinë e klubit. M’u duk mjaft interesant. Pastaj bisedoja me fansat e klubit nëpër forume në internet dhe ata më thoshin se duhej të vija, kështu që unë e bëra një gjë të tillë. Unë i dërgova email klubit dhe ata më ftuan të vija”, shtoi super fansi brazilian.
Mirëpo Diego, i cili punon si ekonomist, thotë se Accrington, i cili e bleu lojtarin e njohur Michael Smith, është ndryshe nga ekipi i tij lokal brazilian, Flamengo.
“Flamengo është njëri prej klubeve më të mëdha në Brazil me 35 milionë fansa, me një lojtar siç është Ronaldinho. Accrington Stanley është e kundërta, por mua më pëlqejnë të dyja. Mendoj se klubi po shkon në rrugën e duhur, edhe pse është klub lokal. Më pëlqen historia e klubit dhe faktin se fansat nuk e lanë kurrë të vdiste, edhe pse kishte momente të vështira”, tha në fund Guerra.
Menaxheri Paul Cook ndihet mirë që një fans e ka kaluar oqeanin, vetëm për të ardhur dhe për ta parë ekipin e tij të zemrës. “Kjo tregon për traditën e klubit dhe se sa kemi gjeneruar interesim nga anembanë botës. Është ndjenjë e mirë që kemi mbështetje si kjo dhe jam i sigurt se ai do të rikthehet në Brazil dhe ta përhapë atë që ka parë”, deklaroi trajneri Cook.