E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Gjeorgjia, synon botërorin

Gianni De Biasi ka kërkuar maksimumin nga futbollistët e Kombëtares shqiptare në ndeshjen miqësore kundër Gjeorgjisë, të cilin takim e konsideron të rëndësishëm. Ai thotë se ndeshja e së mërkurës është një rrugë që duhet t’i çojë larg, në tentativën për t’u kualifikuar në Botërorin ‘Brazili 2014’.

Gianni De Biasi është i gatshëm ta nisë aventurën me Kombëtaren shqiptare. Pasi ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjen miqësore kundër Gjeorgjisë, selektori i ri i Shqipërisë ka folur për ndeshjen e parë që do ta zhvillojë në krye të Kombëtares shqiptare.

55-vjeçari, i cili zëvendësoi kroatin Josip Kuze, mendon se nga ndeshja e së mërkurës kundër përfaqësueses gjeorgjiane është një rrugë që duhet t’i çojë larg, në tentativën për t’u kualifikuar në Botërorin ‘Brazili 2014’

“Jemi këtu pas vlerësimeve të kujdesshme që kemi bërë në këtë periudhë të shkurtër pune, përpara miqësores me Gjeorgjinë. E nisim aventurën nga kjo ndeshje e parë, një rrugë që duhet të na çojë larg, në tentativën për t’u kualifikuar në botëror”, ka thënë trajneri italian në konferencën për media.

“Kjo për ne është një provë e parë për të vlerësuar lojtarët dhe mundësitë. Për mua ndeshja e së mërkurës më shërben kryesisht për të marrë përgjigje nga fusha, në pikëpamjen taktike dhe teknike të lojtarëve, si edhe për presionin dhe aspekte psikologjike që duhen pasur parasysh”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se ekipin gjeorgjian e kanë studiuar gjerë e gjatë, pikat e saj të forta dhe të dobëta derisa ka paralajmëruar se do të vlerësojë se si do të jetë paraqitja e ekipit kuqezi në ndeshjen e parë.

“Për mua gjithmonë ka rëndësi rezultati. Lojtarët duhet ta kenë të qartë se kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme, si të gjitha të tjerat, nga e cila unë kërkoj përgjigje. Të gjithë lojtarët që janë në Kombëtare, duhet të bëjnë maksimumin, të jetë gati dhe të zbresë në fushë mbi të gjitha për të nderuar fanellën që përfaqëson, pasi pas një fanelle ndodhet gjithmonë një komb i tërë që shpreson”, ka deklaruar ai.

Trajneri italian për këtë përballje në ekip ka ftuar disa emra të rinj, si mesfushorin Hari Zeqiri si dhe sulmuesit Edgar Çani e Armando Sadiku.

“Jemi munduar të bëjmë edhe disa eksperimente për të vëzhguar lojtarët që ende nuk kishin luajtur më parë në Kombëtare, si Çani, Sadiku e Zeqiri. Këta janë tre të rinjtë, ndërsa për sa u takon të tjerëve, kemi një rikthim, atë të Osmanit, që ka qenë pjesë e ekipit, ndërsa të tjerët kanë qenë në kontingjent”, u shpreh De Biasi.

Kurse jashtë ekipit kuqezi ka mbetur Erion Bogdanin, i cili ka pasur pak paraqitje në Serie A këtë sezon dhe sulmuesi i rrezikshëm, Hamdi Salihi, i cili ditë më parë i është bashkuar klubit të ri nga elita e futbollit amerikan, DC United.

“Është një moment i veçantë, pasi kam vlerësuar edhe disa aspekte që lidhen me situata, si disa lojtarë që me ekipet e tyre nuk po luajnë. Preferova të grumbulloja lojtarë që aktivizoheshin dhe janë në formë të shkëlqyer. Për momentin është e rëndësishme të kemi lojtarët që na japin më shumë garanci. Edhe pse mungojnë Salihi e Bogdani, kemi dy debutues, por edhe Januzin që ka qenë pjesë e Kombëtares”, pohoi italiani.

Ish-trajneri i Torinos, Brescias e Udineses ka theksuar se objektivi ishte të rinovojë pak skuadrën. Pos sipas tij, kjo nuk do të thotë që Kombëtarja duhet të luajnë patjetër vetëm me më të rinjtë.

“Ky është një projekt, që gjatë këtyre dy viteve të tentojmë të arrijmë atë që nuk është arritur asnjëherë më parë. Duhet të nisim nga zgjerimi i nivelit të cilësisë dhe i zgjedhjeve për lojtarë të ndryshëm. Por, mua nuk më intereson, nëse një lojtar është 30 vjeç. Nëse ai është më i miri, atëherë do të luajë. E rëndësishme është që lojtarët në fushë të jenë të fortë dhe të kenë kualitet”, u shpreh De Biasi, i cili ka thënë se duhet të përmirësojmë aspektin defansiv.

I pyetur nga gazetarët se a do të mund të marrë 8 pikë nga 4 ndeshje, siç ka kërkuar kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, 55-vjeçari i është përgjigjur me shaka duke thënë: “Unë mendoja se donte shumë më tepër”.

Ekipi kuqezi, kësaj radhe do të grumbullohet në Tbilisi, ku edhe do të zhvillohet ndeshja më 29 shkurt (e mërkurë) me fillim nga ora 15:00.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›