E Diel, 1 Nëntor 2026

Mijëra polakë vajtuan Lech Kaczynskin, Polonia në zi



Mijëra njerëz u mblodhën në rrugët e Varshavës dje për t’i bërë nderimet e fundit Presidentit polak, Lech Kaczynski, ndërsa trupi i tij mbërriti në Poloni në mesditë. Arkivoli mbuluar me flamur u prit nga vëllai binjak i Kaczynski, Jaroslav, dhe vajza e tij Marta në aeroportin e Varshavës. Me mijëra njerëz ishin përgjatë rrugës së pallatit presidencial. Polonia ka mbajtur dy minuta heshtje për të kujtuar vdekjen e presidentit, gruas së tij dhe dhjetëra zyrtarëve të lartë në një aksident ajror në Rusinë Perëndimore dje. Ndërsa vendi do të ketë zi kombëtare për një javë. Zyrtarët rusë thanë se 97 njerëz vdiqën, përfshirë tetë anëtarët e ekuipazhit, pasi aeroplani Tupolev i presidentit u përplas me majat e pemëve për shkak të mjegullës së dendur në aeroportin Smolensk. Nuk pati asnjë të mbijetuar. Ekipet e shpëtimit gjetën trupat e disa të paidentifikuarve dhe kutinë e zezë të aeroplanit. Dje në mëngjes, trupat e viktimave arritën në Moskë me helikopter për identifikim. Jaroslaë Kaczynski vizitoi vendin e përplasjes natën e fundit, i gjunjëzuar dhe duke u lutur. Kryeministri polak, Donald Tusk, fluturoi për Smolensk nga Varshava, ku u takua me homologun e tij rus, Vladimir Putin dhe vuri një kurorë lulesh në vendin e aksidentit. Putin është ngarkuar nga Presidenti rus, Dimitri Medvedev, për hetimet e ngjarjes. Ekspertët rusë dhe polakë kanë ekzaminuar kutinë e zezë të avionit presidencial. Hetimet kanë treguar se incidenti nuk ka ndodhur për shkaqe teknike. “Piloti ishte informuar mbi kushtet meteorologjike dhe përsëri ka vendosur të aterrojë”, tha përgjegjësi rus i hetimeve, Alexander Bastrykin. Polakët në të gjithë botën kanë vendosur qirinj dhe lule përpara dyerve të ambasadave të tyre. Presidenti i ndjerë, Kaczynski, po shkonte në Smolensk për të marrë pjesë në 70- vjetorin e masakrës së Katinit, kur policia e fshehtë sovjetike vrau rreth 22.000 oficerë polakë. Në avionin e presidentit kishte edhe familjarë të viktimave të masakrës së Katinit. Presidenti Kaczynski la një vajzë, Marta, dhe dy mbesa.

Presidenca
Kaczynski kishte thënë se do të rikandidonte në zgjedhjet e reja presidenciale në fund të vjeshtës për të kërkuar një mandat të dytë si President i vendit. Pritej një betejë e ashpër kundër kryetarit të Parlamentit, Bronislav Komorovski, kandidati i Partisë Platforma Civile e Kryeministrit Tusk. Komorovski ka marrë përsipër punën e Kaczynskit si kryetar shteti, një rol tani simbolik. Zgjedhjet do të zhvillohen më shpejt, polakët do ta zgjedhin Presidentin e tyre të ri në fund të qershorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›