E Diel, 1 Nëntor 2026

Mijëra shqiptarë jetojnë me më pak se 1 mijë lekë

Në Ditën Botërore të Varfërisë, shifrat që i referohen Shqipërisë janë më shumë se "pesimiste". Shumë, qindra, madje mijëra familje shqiptare rezultojnë të jetojnë në kushte shumë të vështira ekonomike, në skamje, në varfëri ekstreme. Nga 1 deri në 2 dollarë në ditë për njeri. Këto janë të ardhurat ditore për mijëra familje shqiptare që trajtohen me ndihmë ekonomike. Numri më i lartë i të papunëve dhe njëkohësisht të varfërve, rezulton në Qarkun e Shkodrës, ku përfitojnë ndihmë sociale 16 mijë familje, me pas është Dibra, Elbasani, Kukësi, Tirana, Korça dhe Lezha. Ministria e Punës dhe Shanseve të Barabarta në Ditën Botërore Kundër Varfërisë premtoi punësim të 160 mijë personave dhe zhdukjen e varfërisë ekstreme deri në fund të vitit 2013. "Ne synojmë uljen e nivelit të të varfërve në 12.4 për qind nga 18.4 për qind që ishte në vitin 2005. Ministria e Punës parashikon të punësojë 60 mijë persona", deklaroi dje shefi i kabinetit, Kristo Bitri. Sipas tij, Ministria e Punës pritet të shtrijë në gjithë vendin projektin për kushtëzimin e ndihmës sociale, sipas së cilës personat që përfitojnë nga kjo skemë duhet të mbështesin strukturat e pushtetit vendor në zbatimin e projekteve komunitare. Në të gjithë vendin janë të paktën 90 mijë familje që mbijetojnë vetëm përmes ndihmës ekonomike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›