Miku i Shullazit i shpëton atentatit
Tiranë, 30-vjeçari nuk bën denoncim në polici: Të shtënat me armë mund të kenë qenë ngatërresë.
Qëllohet 5 herë, dy plumba prekin makinën e Pajtim Serjanit.
Një person i konsideruar si mik i Emiljano Shullazit i shpëtoi një atentati me armë mbrëmjen e së enjtes në Tiranë. Pajtim Serjani është qëlluar me armë nga persona ende të panjohur pranë banesës së tij në Yzberisht. Policia tha se 30-vjeçari është qëlluar me armë sapo ka dalë prej makinës tip “Passat”, të cilën ishte duke e parkuar pranë pallatit ku banonte, në rrugën “Tre dëshmorët” në Yzberisht. Nga të shtënat në drejtim të Serjanit, vetëm dy prej plumbave kanë goditur makinën, por vetë Pajtim Serjani i ka shpëtuar plagosjes pa u prekur nga asnjë plumb. Policia është lajmëruar për ngjarjen nga banorët e zonës, të cilët raportuan të shtëna armësh pranë bllokut të pallateve “Dilo”. Fillimisht policia filloi procedim penal vetëm për prishje të qetësisë publike dhe armëmbajtje pa leje, pasi u gjetën 5 gëzhoja në vendin e ngjarjes. Pasi është verifikuar më tej, është mësuar se të shtënat kanë pasur si objekt makinën e 30-vjeçarit sapo ai ka dalë prej saj. Policia tha se Pajtim Serjani nuk ka pranuar të japë shpjegime në lidhje me ngjarjen, madje nuk ka bërë as kallëzim në komisariat. Burimet nga Policia thanë nga ana tjetër se ka nisur një hetim edhe nga oficerët e krimeve kundër jetës dhe shëndetit për “vrasje me dashje” të mbetur në tentativë. Serjani është një emër i njohur, kryesisht për shërbimet e Komisariatit Nr. 2, pasi ka pasur disa herë përplasje me shërbimet e policisë, madje edhe është dënuar në vitin 2010. Policia tha se po heton për shkak të njohjes së Serjanit me Emiljano Shullazin, person i skeduar disa herë për ngjarje të ndryshme, i cili momentalisht është në paraburgim për “armëmbajtje pa leje”.
HETIMI
Për grupin hetimor ajo që mund të ishte më me shumë rëndësi për zbardhjen e atentatit të së enjtes, do të ishin deklarimet e Pajtim Serjanit, i cili ishte edhe në shënjestër të personave të armatosur. Ai nuk ka pranuar të japë shpjegime rreth ngjarjes, duke u shprehur se nuk ka siguri nëse plumbat ishin drejtuar për të, ka qenë një ngjarje aksidentale apo ngatërresë. Grupi hetimor ka dyshime të forta se nuk është aspak ngatërresë, por atentati është kryer ndaj tij për shkak të miqësisë që ai ka me Emiljano Shullazin. Sipas burimeve nga Policia, më shumë se miqësi të mirëfilltë, Serjani dyshohet të ketë kryer ndonjë shërbim ndaj Shullazit, qoftë kur ai ishte në burg, por edhe pasi u lirua. Ndërsa lidhur edhe me ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në Tiranë, grupi hetimor dyshon se personat që kanë kryer atentatin kanë vënë në shënjestër miqtë e Emiljano Shullazit, apo edhe ata që i shërbejnë. Rasti më i fundit, ku një prej miqve më të afërt të Emiljano Shullazit mbeti i vrarë në kryeqytet, është ekzekutimi i Arlind Fugës. Vrasja e 34-vjeçarit Fuga, me 6 plumba, pranë Rrugës së Kavajës, u konsiderua nga Policia e Tiranës si hallkë e një seri vrasjesh dhe plagosjesh që kryhen për hakmarrje mes dy bandave kriminale.
Serjani akuzoi policinë
Pajtim Serjani, personi që dyshohet se ishte objektiv i atentatit në Tiranë, është arrestuar në fund të vitit 2009 për kundërshtim ndaj forcave të Policisë. Disa muaj pas arrestimit depozitoi në Prokurorinë e Tiranës një kallëzim penal ndaj dy inspektorëve të Komisariatit Nr. 2, Alfons Gjoni dhe Klodian Basha. Ai kërkonte nisjen e hetimeve për dy policët që e kishin arrestuar, duke i akuzuar për ushtrim “torture”.
Precedenti i ngjarjes në periferi të Tiranës
Pajtim Serjani shkëmbeu zjarr me policinë në dhjetor 2009
TIRANE – Personi që i shpëtoi atentatit mbrëmjen e së enjtes në Yzberisht, Pajtim Serjani, është emër i njohur për Policinë e Tiranës. Policia është përballur me të më 29 dhjetor të vitit 2009, në rrugën “Irfan Tomini”. Ai bashkë me ish-futbollistin Alban Rexha, që njihet dhe me nofkën “Ujku” dhe ish-pjesëmarrës në reality show “Kafazi i Artë”, si dhe Enea Gega e Shamet Mejdani, ndërsa udhëtonin me një mjet tip “Benz” me targa të huaja, u akuzuan se nuk iu bindën urdhrit për të ndaluar në postbllok policor te rruga “Irfan Tomini”. Sipas vendimit të datës 10 maj 2010 të Gjykatës së Tiranës, që e dënoi Serjanin me një vit burg, katër të rinjtë, 200 metra larg postbllokut, kanë dalë nga makina dhe kanë qëlluar në drejtim të punonjësve të Policisë. “Të shtënat janë dëgjuar nga punonjësit e Policisë Klodian Bala e Alfons Gjoni, të cilët ndërkohë po udhëtonin me mjetin privat me drejtim lëvizjeje nga Shkolla Teknologjike pranë ish-stacionit të fundit të Tiranës së Re. Dy punonjësit e Policisë kanë konstatuar pak metra larg makinën në të cilën ndodheshin 4 persona të armatosur, njëri prej tyre me automatik dhe tre të tjerët me pistoleta”, thuhet në vendimin e Gjykatës. Në këto rrethana, dy policët kanë njoftuar edhe patrullat e tjera dhe vetë janë vënë në ndjekje të personave të armatosur, fillimisht me makinë dhe më pas në këmbë, për shkak të terrenit. “Në ndjekje e sipër, Pajtim Serjani ka shtënë me armë e, për pasojë, punonjësit e Policisë i janë kundërpërgjigjur duke shtënë në ajër. Në një moment, Serjani është ndarë nga tre të tjerët dhe në ndjekje të tij është vënë polici Gjoni. Ky i fundit është arritur edhe nga kolegët e tij dhe së bashku kanë arritur ta kapin në flagrancë Pajtim Serjanin, i cili ishte fshehur i shtrirë përtokë poshtë një autoveture, në rrugën “Irfan Tomini”.
ETLEVA DELIA