Trafik droge në Itali, pesë të ndaluar brenda një dite
DURRES/ Të dënuar mbi 20 vjet si anëtarë organizatash kriminale.
Bum aksionesh për të ndaluar të dënuarit nga shteti italian. Pesë persona që i shmangeshin Drejtësisë italiane janë arrestuar brenda pak orësh nga Policia e Durrësit. Sipas policisë, arrestimet kanë ardhur në sajë të një kërkese të shtetit fqinj, i cili ka kërkuar bashkëpunimin e homologëve shqiptarë për arrestimin e pesë personave që janë dënuar nga Drejtësia e këtij shteti në mungesë. Mësohet se të arrestuarit janë pesë persona, dy prej të cilëve vëllezër, të gjithë të akuzuar si anëtarë të organizatave kriminale dhe trafik të lëndëve narkotike. Klodjan dhe Adriatik Dedja, përkatësisht 36 dhe 40 vjeç, banues në komunën Xhafzotaj, u prangosen mesditën e djeshme. Ata ishin dënuar nga Gjykata e Milanos në mungesë me nga 20 vite e 1 muaj burg për veprat penale të pjesëmarrjes ne organizata kriminale dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Ndërsa tre të arrestuarit e tjerë janë Eni Mullaj, 34 vjeç, Altin Bejko, 38 vjeç dhe Xhorxh Deda, 49 vjeç, që të tre banorë të qytetit bregdetar. Eni Mullaj, i dënuar më parë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, u arrestua dje në banesën e tij për llogari të shtetit italian, pasi autoritetet e Drejtësisë së këtij shteti kanë dërguar urdhër arresti të datës 15.12.2006, pasi ky shtetas është dënuar me 30 vite burg, për veprat penale të pjesëmarrjes në organizata kriminale dhe trafik të lëndëve narkotike. Ndërsa falë këtij aksioni, policia arrestoi disa minuta më vonë edhe dy shtetasit e tjerë, Altin Bejko dhe Xhorxh Deda. Ky i fundit është arrestuar pasi autoritetet e Drejtësisë italiane kanë dërguar ndaj këtij shtetasi urdhër arresti të datës 01.04.2003, pasi ai është dënuar me 12 vite e një muaj burg për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike. Ndërsa, për 38-vjeçarin Altin Bejko, policia tha se ndalimi i tij u bë pas një kërkese të palës italiane, pasi Drejtësia e këtij shteti e ka dënuar atë në mungesë me 24 vite burg, për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike. Sipas Policisë, arrestimi i shtetasve në fjalë është bërë falë bashkëpunimit me homologët italianë. Tashmë, të ndaluarit priten të dalin fillimisht përpara togave të zeza këtu në Shqipëri për të marrë masën e sigurisë, e cila do të shërbejë deri në pritje të ekstradimit të tyre drejt Italisë, ku dhe do të vuajnë dënimin që i ka dhënë Gjykata e Italisë. Mësohet se të kërkuarit gjatë arrestimeve nuk kanë bërë rezistencë ndaj forcave të policisë. Burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës bëjnë me dije se gjatë ditëve në vijim do të zhvillohen sërish aksione, ndërsa priten të bëhen të tjera arrestime.
LEZHE
Policia e Lezhës ka vënë në pranga dy të kërkuar, njëri prej të cilëve ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Keler Marku, 35 vjeç u arrestua pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar me akuzat e trafikut të drogës dhe pjesëmarrjes në bandat kriminale. Ai kishte mundur të largohej nga Italia për tu strehuar në Shqipëri, por nuk e ka gëzuar shumë lirinë, teksa është arrestuar nga Policia e Lezhës.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ