E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milan-Inter, luhet derbiqë vendos titullin në Itali

MILANO- Milani dhe Interi zhvillojnë të shtunën në mbrëmje ndeshjen më të rëndësishme të këtij sezoni në Serinë A, një përballje që mund të vendosë titullin kampion. Në fushë do të jenë kryesuesit e kampionatit italian kundër ndjekësve, Alegri kundër Leonardos, Pato kundër Pacinit dhe dy tifozeri të urryera në maksimum. Por, pritshmëria më e madhe është për Leonardon, një legjendë e Milanit, që këtë herë rikthehet si kundërshtar ndaj kuqezinjve.

Tekniku brazilian i ka bërë një parapritë atmosferës që mund të gjejë në “San Siro”, duke deklaruar se nuk e ndjen veten një tradhtar që mori drejtimin e zikaltërve. “Unë do të përjetoj emocionet e mia, sepse nuk mund të harroj në një sekondë atë që kam kaluar me Milanin. Nuk do të jetë ndeshja ime, nuk kam asnjë hakmarrje për të marrë. Sot jam shumë i lidhur me njerëzit e Interit, por nuk harroj atë që kam kaluar te Milani. Bën pjesë në eksperiencën time si njeri”, deklaroi Leonardo. Tifozët e Milanit kanë deklaruar se kanë 5 muaj që përgatiten për këtë derbi, ndërkohë që në qendër të vëmendjes pritet të jetë pikërisht trajneri i ri i Interit. Për zikaltërit pritet që të rikthehet në pankinë argjentinasi Diego Milito, ndërkohë që në dyshim janë edhe Ranokia e Kivu. Por, një tjetër mungesë e Interit është braziliani Lusio, që është i pezulluar.

Por, gjërat nuk duken aq mirë edhe në kampin e Milanit, që do të jetë pa Zllatan Ibrahimoviç. Sipas trajnerit Alegri, derbi është një ndeshje më e rëndësishme për Interin sesa për Milanin. “Së pari dua të them se është një ndeshje shumë e bukur për t’u luajtur, por është më e rëndësishme për Interin se për ne. Janë edhe 7 ndeshje deri në fund, 21 pikë në lojë, kështu që çdo gjë do të jetë e hapur nga pikëpamja matematike deri në fund. Por, derbi është shumë i rëndësishëm”, deklaroi Alegri. Ai llogariti në këtë betejë edhe Napolin e Udinezen, që ndodhen respektivisht 3 dhe 6 pikë larg kreut. Milan-Inter pritet të transmetohet në të gjithë botën dhe të ndiqet nga mbi 1 miliard njerëz.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›