E Diel, 1 Nëntor 2026

Zv/ambasadori Kristina: Kuvendi ndërhyri në hetime

Në një intervistë për nje reviste, zv/ambasadori Stephen Kristina thotë se, “ka pasur tentativa për të ndërhyrë në procesin e institucioneve të pavarura, sidomos Prokurorisë”. 

TIRANE-Zëvendësambasadori amerikan, Stephen Kristina e ka cilësuar politike dhe jo kurth, përfshirjen e emrave të ambasadorit amerikan, Xhon Uidhers dhe diplomatëve të tjerë amerikanë në trafikun e armëve të Gërdecit. “Nuk ishte kurth, ishte politikë”, - thotë në mënyrë lakonike, diplomati amerikan për tentativa të segmenteve të caktuara politikë në Shqipëri për të përfshirë dhe ambasadën amerikane në skandalin e tregtisë së fishekëve kinezë, blerë me fonde të Pentagonit dhe nisur nga Rinasi për në Kabul. Në një intervistë për revistën “Mapo”, zv/ambasadori Kristina thotë se, “ka pasur tentativa për të ndërhyrë në procesin e institucioneve të pavarura, sidomos Prokurorisë”. “Unë mendoj që kjo përbën problem. Kuvendi është përpjekur të ndërhyjë, kryeministri i ka kritikuar, edhe media është përpjekur të ndërhyjë në zhvillimin e hetimit të Gërdecit. Ka pasur sulme shumë të ashpra ndaj Prokurorisë, që kanë qenë një tentativë për të ndikuar në zhvillimin e hetimeve”, - u shpreh ai. Ai kujton se, “ka qenë një deklaratë e dhënë nga Kuvendi që i diktonte zonjës Rama se, duhet të hetonte ushtrinë dhe jo zotin ministër. Nuk i përket autoriteteve të Kuvendit kjo deklaratë. Ne kemi thënë shumë herë që duhet të lejohet që Prokuroria të zhvillojë hetimet”. Ai shprehet se shpreson që të lënduarit e Gërdecit të kenë filluar t’i rikthehen normalitetit. I pyetur në lidhje me hetimet që po bëhen në Amerikë për këtë tragjedi dhe trafikun e armëve, Kristina tha se hetimet janë në vijim, por nuk e di se në ç’fazë. “Pavarësisht akuzave, ishim gjithnjë të sigurt që pas një hetimi të plotë do të ishte e qartë që nuk kemi bërë asgjë jo legale apo jo korrekte”, - u shpreh diplomati amerikan, i pyetur në lidhje me vendimin se 6 diplomatët amerikanë në Shqipëri janë të pafajshëm.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›