Milan, ekip i fituesve

Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimoviç beson se mentaliteti fitues i skuadrës i udhëhoqi ata drejt fitores 2-1 ndaj Interit në Superkupën e Italisë të shtunën. Rossonerët ngritën trofeun pas golave nga Ibrahimoviç dhe Kevin Pricne Boateng, që anuluan shënimin e Wesley Sneijderit, i cili kishte kaluar Interin në epërsi.
Edhe pse sezoni i ri në Serie A është ende disa javë larg fillimit, Milan tashmë ka fituar titullin e parë dhe Ibrahimoviç beson se ky është rezultat i mentalitetit të skuadrës.
“Historia dhe tradita e klubit na imponon këtë dhe ky grup është i mësuar të fitojë. Mentaliteti fitues është i integruar këtu, ne synojmë të vazhdojmë me këtë traditë”, tha sulmuesi suedez për ueb faqen zyrtare të Milanit. 29 vjeçari e pranoi se Milan nuk ishte në formën më të mirë të shtunën mbrëma, por ishte i lumtur që skuadra tregoi se mund të fitojë edhe kur nuk është në kulmin e saj.
“Ne nuk luajtëm në shkallën tonë më të mirë sa i përket kualitetit, por fizikisht dhe në aspektin mental ishim shumë të fuqishëm, siç jemi gjithmonë. Aspekti i lojës mund të përmirësohet, është normale, pas vetëm një muaji stërvitjeje është vështirë të luani shumë mirë. Por, të mos luani mirë dhe të jeni në gjendje të fitoni është kualitet i rëndësishëm”, përfundoi Ibrahimoviç.