E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Boom’ i shikuesve

Gjermanët sërish konfirmuan adhurimin e tyre ndaj futbollit. Xhiroja e parë e sezonit 2011/12 në Bundesligë u përcoll nga gati gjysmë milioni shikues, më saktësisht 464.056. Statistika të tilla nuk arrihen në liga inferiore as brenda një sezoni të plotë. Nga Express më 08 gusht 2011 në ora 09:01

Gjermanët e adhurojnë futbollin. Kjo nuk është një risi, por megjithatë u konfirmua gjatë fundjavës. Tribunat e stadiumeve të skuadrave nga Bundesliga janë më të mbushurat në botë. Xhiroja e parë e sezonit të ri 2011/12 në Bundesligë u përcoll nga mbi 450 mijë shikues, më saktësisht 464.056.

Me këtë statistikë rekorde, skuadrat më të mira të futbollit gjerman e hapën sezonin e ri.. Nëse tifozët vazhdojnë të mbushin stadiumet si në xhiron e parë të Bundesligës që u zhvillua në fundjavë, është pothuajse e pamundur që dikush t’i largojë gjermanët nga pozita e parë sa i përket shikueshmërisë në stadiume. Kampioni në fuqi, Borussia Dortmund e hapi sezonin e ri si nikoqir i Hamburgut të premten në praninë e 80.720 shikuesve në Signal Iduna Park.

Ndërsa të shtunën dhe të dielën u zhvilluan tetë takime tjera, po ashtu në stadiume të mbushura në kapacitetin e tyre të plotë. Pas kampionit Dortmund vjen gjiganti bavarez Bayern Munich, që në ndeshjen kundër Borussia Monchengladbach u përkrah nga 69.900 shikues në stadiumin modern Allianz Arena.

Në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin, skuadra e rikthyer në Bundesligë, Hertha e priti Nurenbergun në praninë e 61.118 shikuesve. Ndërsa, Stuttgart u përball me Schalke 04 në stadiumin e tij Mercedez Benz Arena, ku të pranishëm ishin 60 mijë shikues. Edhe stadiumi i Kolnit, RheinEnergieStadion ishte mbushur në kapacitetin e tij të plotë prej 47 mijë shikuesve për ndeshjen kundër Wolfsburgut.

Werder Bremen ishte nikoqir i Kaiserslauternit para 41.100 shikuesve në Weserstadion. Një shifër pak më e vogël, por gjithnjë në kapacitetin e plotë (40.315) në AVD Arena, përcolli ndeshjen mes Hanoverit dhe Hoffenheimit. Mainz u ndesh me Bayer Leverkusenin të dielën në praninë e 33.500 shikuesve në Coface Arena, ndërsa numri më i ‘vogël’ i shikuesve përcolli takimin mes skuadrës së promovuar në Bundesligës, Augsburg përballë Freiburgut.

Të pranishëm në stadiumin SGL Arena ishin 30.403 shikues. Shikueshmëria e jashtëzakonshme në Bundesligë dhe shifrat e arritura në xhiron e parë të sezonit të ri janë më të mëdha se ato gjatë gjithë edicionit në liga inferiore.

Shikueshmëria në xhiron e parë të Bundesligës:

Dortmund - Signal Iduna Park: 80.720
Berlin – Olympia Stadion: 61.118
Stuttgart - Mercedes Benz Arena: 60.000
Koln - RheinEnergieStadion: 47.000
Bremen - Vezer: 41.100
Hanover - AVD Arena: 40.315
Augsburg - SGL Arena: 30.403
Munich – Allianz Arena: 69.900
Mainz - Coface Arena: 33.500

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›