E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milan, financat fluturojnë me Emirates

Kuqezinjtë, ultimatum Ronaldinjos: Nëse nuk luan mirë në Champions kundër Mançester Junajtid, mund të largohet në fund të sezonit

Zyrtarizohet marrëveshja e sponsorizimit 60 milionë euro me kompaninë ajrore arabeAshtu siç ishte bërë e ditur nga grupi “Emirates Airlines”, kompania ajrore arabe do të jetë sponsori i Milanit. Marrëveshja u zyrtarizua gjatë ditës së djeshme edhe nga klubi kuqezi. “Emirates” njihet për investimet në botën e futbollit, duke qenë se është sponsore e Arsenalit në Premiershipin anglez, Hamburgut në Bundesligën gjermane, PSG-së në Ligën 1 franceze dhe Olimpiakosit në Superligën greke. Nëpërmjet Milanit, tashmë kjo kompani “zbarkon” edhe në Serinë A italiane.
Sponsorizimi bëhet efektiv që prej 1 korrikut 2010 dhe bashkëpunimi mes palëve do të vazhdojë deri më 30 qershor 2015. Vlera e përgjithshme e kontratës është 60 milionë euro, plus shumë shpërblime që lidhen me rezultatet që do të arrijë “Djalli”. “Ky është një sponsorizim shumë i rëndësishëm, pasi vjen në një moment kur tregu i reklamave është kontraktuar”, pohoi administratori i Milanit, Adriano Galiani. “Milani është lidhur me dy sponsorë mjaft me peshë në botë: ‘Emirates’ deri më 30 qershor 2015 dhe ‘Adidas’ deri më 30 qershor 2017. Ndryshe nga sa është spekuluar, me arabët nuk është diskutuar asnjëherë rreth blerjes së aksioneve të klubit apo të stadiumit. Kemi biseduar vetëm rreth kësaj marrëveshjeje shumë të rëndësishme”. Sponsorizimi u anonçua në Milanelo nga Galiani, Butros Butros, zy/presidenti i korporatës “Emirates Airline” dhe nga sheiku Hamed Bin Saed Al Maktum. Në konferencën për shtyp, të pranishëm ishin edhe trajneri Leonardo, kapiteni Masimo Ambrozini, Devid Bekam dhe Ronaldinjo. Më tej, numri 2 i Milanit ka shpjeguar edhe disa detaje të kontratës: “Më 31 korrik dhe 1 gusht të këtij viti do të luajmë në ‘Emirates Cup’ në Londër. Përveç Milanit dhe Arsenalit, pjesëmarrëse aty do të jenë edhe dy skuadra të tjera të njohura. Gjithashtu, do të qëndrojmë 6-7 ditë në Dubai, nga 27-28 dhjetori deri më 3 janar 2011, për fazën përgatitore të dimrit, e ndoshta edhe për një ndeshje miqësore”.
Me gjithë sponsorizimin, që i ka dhënë frymëmarrje arkave të klubit, Milani ka mjaft probleme. Më kryesori quhet Ronaldinjo. Gjatë një bisede telefonike, presidenti Berluskoni nuk i ka kursyer kritikat ndaj fantazistit, të cilit i ka kërkuar që të përqendrohet te skuadra. Drejtuesi më i lartë ka këmbëngulur që ta afronte brazilianin në skuadër, një bast i fituar vetëm përgjysmë. Që prej derbit të humbur me Milanin, Dinjo është “shuar”, ndërsa trajneri Dunga e ka lënë jashtë Kombëtares “seleçao” dhe lojtari rrezikon seriozisht të mos luajë në Botërorin 2010. Megjithatë, numri 80 duhet të shqetësohet mbi të gjitha për të ardhmen te Milani. Nëse nuk paraqitet në nivelin e kërkuar kundër Mançester Junajtid në Champions League, ai mund të largohet nga kuqezinjtë në fund të sezonit.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›