E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mourinho, në Chelsea vetë i dyti?

Jose Mourinho po pret thirrje nga Londra, respektivisht nga pronari i Chelseas, Roman Abramovich. Sipas të përditshmes britanike Express, ish trajneri i Chelseas është lartë në listën e të dëshiruarve të miliarderit rus, i cili ditë më parë vendosi ta shkarkonte portugezin tjetër, Andre Villas-Boas, pas rezultateve të varfra të këtij sezoni.

‘Special One’ duket të jetë i bindur për t’u larguar nga Real Madridi në fund të sezonit, kështu që ai e ka bërë të qartë se një ditë do t’i pëlqente të rikthehet për të punuar në futbollin anglez.

Marrëdhëniet ndërmjet ish trajnerit të Portos dhe Interit me Abramovichin nuk janë prej më të mirave, që prej largimit të tij të papritur në vitin 2007, por që nuk përjashtohet mundësia që ai ta pranojë një ftesë eventuale të rusit, për një ribashkim në punë.

Aktualisht, Mourinho është trajneri më i paguar në botë me 12 milionë euro në vit, më shumë se dyfishi nga aq sa ishte paguar Villas-Boas në Chelsea. Por, nëse vendos të rikthehet në Stamford Bridge, Mou mund të paguhet rreth 13,5 milionë euro në vit, duke u bërë kështu trajneri më i paguar në botë.

Mirëpo, portugezi do t’i merrte sërish Blues me një kusht. Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, ai do të kërkonte që ta marrë me vete bashkëkombësin dhe lojtarin e tij, Cristiano Ronaldo. 27 vjeçari ka shënuar 96 gola nga 88 ndeshje, ndërsa Reali për të do t’i kërkonte së paku 100 milionë euro.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›