E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wenger krenar, Allegri ia arriti qëllimit

Arsene Wenger ndihet krenar me lojën që e shfaqën lojtarët e tij, në fitoren 3:0 ndaj Milanit, në ndeshjen kthyese të së tetës së finales së Ligës së Kampionëve.

Mirëpo, kjo fitore nuk i mjaftoi ekipit të tij, pasi që në ndeshjen e parë pësonte humbje 4:0. Trajneri i Arsenalit po ashtu i ka akuzuar gjyqtarët.

“Duhet të jemi krenarë me lojën tonë dhe me atë që e bëmë sonte. Kishte disa vendime të gjyqtarit kundër nesh, si në Milano, ashtu edhe sonte. E kemi kontrolluar mesfushën, por kur ata e kishin topin, gjyqtari vërshëllente faull gjithmonë. Kishim kapacitet ta barazonim rezultatin e ndeshjes së parë, por duhet të kishim forcë dhe kurajo edhe në pjesën e dytë. Nuk kisha zgjedhje adekuate në bankinë, duke i pasur parasysh mungesat”, deklaroi Wenger.

Në anën tjetër, trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri ndihet keq për humbjen, por shton se Rossonerët e arritën objektivin e tyre – kualifikimin në çerekfinale.

“Luajtëm me tre sulmues dhe vuajtëm sigurisht shumë. E morëm golin e parë nga korneri dhe kjo na kushtoi jo pak. Më pas kemi bërë gabime të mëdha në mesfushë. Do të thosha se e kemi huqur ndeshjen në aspektin teknik, ishim të pasigurt edhe në mbrojtje. Ndërsa, në pjesën e dytë kemi manovruar mirë në sulm. Më vjen keq për humbjen, por objektivi u arrit”, deklaroi trajneri italian.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›