Milan mbyll merkaton dhe blindon yjet
“Milani konfirmon edhe një herë se nuk ka aspak ndërmend që të shesë lojtarët Ronaldinjo dhe Tiago Silva”. Me këtë deklaratë të shkurtër për shtyp, por kuptimplotë, klubi kuqezi ka mohuar kategorikisht spekulimet rreth largimeve të dy brazilianëve. Për sa i takon mbrojtësit, nuk kishte dyshime. Edhe pse kërkohej me ngulm nga drejtuesit e Realit të Madridit, Tiago Silva nuk e ka fshehur synimin për të vazhduar aventurën në “San Siro”. Ndërkohë, deklarata e Milanit dukej e nevojshme për Ronaldinjon, i cili ka qëndruar në heshtje prej disa javësh. Së fundmi, zërat për negociatat e menaxherit të fantazistit me skuadrën amerikane, Los Anxhelos Galaksi ishin intensifikuar. Ish-ylli i Barçës nuk udhëtoi me skuadrën as në turneun në SHBA, ndërsa po kërkon të gjejë formën optimale për ndeshjen e parë të kampionatit italian. Me mbajtjen e brazilianëve, Milani ka konfirmuar edhe mbylljen e merkatos së verës. Alegri do të ketë në dispozicion thuajse të njëjtën skuadër si një sezon më parë, në pritje të revolucionit të verës së ardhshme.
#