Milan, nga Reali alternativa Huntelar
Milani ndryshon objektiv për repartin sulmues. Pasi Volfsburgu cilësoi të pashitshëm Xhekon dhe kartoni i Luis Fabianos kushton shumë, Klas-Jan Huntelar shihet si përforcimi i kuqezinjve. Transferimi i holandezit në formë huazimi mund të realizohet pa probleme edhe prej marrëdhënieve të mira që drejtuesit e "Djallit" kanë me homologët e Realit të Madridit, pas realizimit të operacionit "Kaka". Huntelar shihet si i panevojshëm në skuadrën "Galaktike" që do të ketë në dispozicion trajneri Pelegrini, mbi të gjitha pas spekulimeve se blerja e Benzema pothuajse ka përfunduar. Madrilenët kërkojnë të sistemojnë talentin "tulipan" dhe Milano është zgjidhja që pëlqehet nga të gjitha palët. Por, në rrugën "Turati" po punohet edhe për mesin e fushës, ku synohet rusi Juri Zhirkov, i cili ndiqet edhe nga Çelsi. 26-vjeçari ka pohuar se preferon Milanin ose Barçën, ndërsa CSKA e Moskës pretendon 15-20 milionë euro për kartonin.