E Shtunë, 31 Tetor 2026

U tha, u bë! "Marca" njofton: Reali merr edhe Karim Benzema

Fishekzjarrët në Madrid duket se nuk duan të përfundojnë. Pa u ulur ende sipari i prezantimit galaktik të Kakasë në stadiumin "Santiago Bernabeu", klubi i Florentino Perez menjëherë rikthehet protagonist në merkaton ndërkombëtare. Pas 64 milionë eurove të Milanit për blerjen e brazilianit dhe 94 milionët e Mançester Junajtid për Kristiano Ronaldo, është gati të bëjë një tjetër ofertë rekord për të arritur te Karim Benzema, sulmuesin francez të Lionit. Dje, e përditshmja sportive spanjolle "Marca", në edicionin e saj "online", ka bërë të ditur se, marrëveshja mes dy klubeve është arritur tashmë dhe se francezi brenda pak ditësh do të jetë një lojtar i madrilenëve. Në pritje të një lajmërimi zyrtar nga ana e klubit, mësohet se shifra e paguar nga Reali i Madridit është rreth 35 milionë euro. Edhe gazetat e tjera sportive spanjolle e japin për të mbaruar këtë blerje nga ana e Realit të Madridit. Për të konfirmuar këtë tratativë ka ardhur edhe përgjigjja pozitive e menaxherit të Benzemasë, Karim Xhaziri, i cili, i kontaktuar nga "Radio Montecarlo", ka konfirmuar kontaktet mes spanjollëve dhe klubit transalpin.

Por menjëherë pas publikimit të këtij lajmi ka reaguar edhe Olimpiku i Lionit, i cili përgënjeshtron faktin e arritjes së një marrëveshjeje me Realin e Madridit. Klubi francez ka mohuar gjithçka, duke theksuar se oferta e ardhur te Lioni për Benzemanë, nuk do të thotë se vjen domosdoshmërisht nga Reali.

"Gjithçka çfarë është shkruar te (gazeta spanjolle) "Marca" është e gabuar në substancë", tha Olivier Blank, drejtori i zyrës së shtypit të Lionit në faqen e internetit të gazetës "L‘Equipe". "Ne kemi marrë një ofertë në një shifër të konsiderueshme, por askush nuk ka thënë se vjen nga Reali. Për momentin nuk ka arritur marrëveshje me askënd", shtoi ai. Sipas Olivier Blant, lajmet e botuara në shtypin spanjoll nuk kanë asnjë të vërtetë brenda". Një tjetër klub i interesuar për Karim Benzema është edhe kampioni i Anglisë, Mançester Junajtid. Në disa media spanjolle pretendohet se zyrtarizimi i blerjes së futbollistëve të kombëtares së Francës do të bëhet në ditët e ardhshme, ndërkohë që vetë klubi spanjoll nuk ka bërë asnjë koment në lidhje me këtë çështje. Florentino Perez është zotuar se, do ta rikthejë klubin madrilen në rrugën e suksesit menjëherë pas marrjes së Presidencës në muajin qershor dhe tashmë ai është hedhur në merkato për të ndërtuar një skuadër të madhe. Dy blerjet e para të tij të para kanë shokuar tregun e futbollistëve, pasi shumat e shpenzuara janë marramendëse. Të martën është bërë një prezantim spektakolar për brazilianin Kaka, i cili u ble për 62.7 milionë euro, ndërsa më datën 6 korrik pritet edhe prezantimi i Kristiano Ronaldos, të marrë nga Mançester për shifrën rekord prej 94 milionë eurosh. Tashmë madrilenët po insistojnë të marrin edhe sulmuesin e ri të Lionit, Karim Benzema

Perez

Presidenti i Realit, Florentino Perez: "Nuk mund t‘ju them kush është, derisa blerja të jetë përfunduar, ndaj nuk mund ta bëj të ditur. Po përqendrojmë në një vit të vetëm investimet e 3 sezoneve, sepse duam të ndryshojmë modelin tonë. Duhet të bëjmë lojtarë të mëdhenj për të fituar"



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›