Tërhiqet Inter, Karvajo-Deko kushtojnë 14 milionë euro
Takimi ndërmjet konsulentit të merkatos së Interit, Lele Oriali, dhe drejtorit të ri sportiv të Çelsit, Frenk Arnesen, u anulua. Të martën, ata duhej të diskutonin rreth transferimit të Rikardo Karvajos dhe Dekos në skuadrën zikaltër, por negociatat dështuan. Në bisedën e fundit telefonike, përpara nisjes së Orialit drejt Londrës, klubi anglez pohoi se nuk do të ulte çmimin e lojtarëve. Diferenca ekonomike mes kërkesës dhe ofertës ishte mjaft e madhe: blutë pretendojnë 14 milionë euro për dyshen portugeze (10 milionë euro për Karvajon dhe 4 për Dekon), ndërsa Interi ishte i gatshëm të paguante 5 milionë euro për mbrojtësin dhe 1 (maksimumi 2) për ish-fantazistin e Barcelonës. Morati u ka bërë të qartë njerëzve që kujdesen për merkaton se nuk duhet të bëjnë oferta të "çmendura", pavarësisht vlerësimit që trajneri Murinjo ka për lojtarët. Alternativa janë gjermani Boateng për mbrojtjen dhe Diamanti, Gallas ose Kasano për mesfushën.