E Hënë, 2 Nëntor 2026

Milan, ngushëllimi vjen në merkato

27/05/2005  Pas humbjes tronditëse në Stamboll, kuqezinjtë kanë filluar të mendojnë për transferimin e fytyrave të reja në merkaton e verës

Humbja krejtësisht e papritur që ka ardhur në finalen e Ligës së Kampioneve zhvilluar në Stamboll, duket se skenari në kampin e Milanit ka pësuar ndryshime rrënjësore, për sa i takon sezonit të ardhshëm 2005-2006. Pra, me fjalë të tjera kuqezinjtë do të ndryshojnë fytyrë, duke hedhur shumë shpejt prapa krahëve, këtë sezon të vështirë. Kështu, të parët që i kanë bërë gati valixhet janë Abiati, Kalaxe, Doraso, Pankaro dhe Tomason. Ndërkohë, mbetet ende për t’u vendosur pozicioni i Krespos dhe Pipo Inzagit. Ndërsa, në frontin e transferimeve, pothuajse është mbyllur gjithçka për Xhilardinon, Jankulovskin dhe Kudiçinin. Po ashtu ekzistojnë preferenca për Kasetin e Leçes, kurse ëndrra më e madhe për Milanin do të jetë mbrojtësi rumun i Romës, Kristian Çivu. Tashmë, sezoni aktual për Milanin mund të quhet i mbyllur, ku të gjithë kuqezinjtë nuk do ta harronin kurrë shijen e hidhur të mbrëmjes tronditëse në Stamboll. Në këtë mënyrë, ideja bazë për drejtuesit milanistë do të jetë rinovimi i mbrojtjes, në të cilën për momentin aktivizohen lojtarë të tillë, si Kafu, Stam e Maldini. Ndryshimet do të prekin edhe repartet e tjera të skuadrës, ku lojtarët e rinj që mund të transferohen, kanë për t’i dhënë një tjetër shkëlqim Milanit, si në Serinë A, edhe në Ligën e Kampioneve. Kështu, menjëherë në muajin qershor do të largohet Abiati, i cili ka kaluar plot gjashtë sezone me kuqezinjtë. Alternativat për të janë Arsenali, Vilareali, Palermo dhe Roma. Zëvendësuesi i tij ideal pritet të jetë pikërisht Kudiçini, i cili nuk ka gjetur vend të lirë në portën e Çelsit dhe prandaj, ka preferuar të rikthehet në Itali. Një operacion i vështirë mund të quhet ai i mbrojtësit gjeorgjian, Kakaber Kalaxe, i cili është kërkuar nga Çelsi. Kështu, Milani mund ta shfrytëzonte këtë rast, për të mbajtur në skuadër, Hernan Krespon, duke sakrifikuar Kalaxen. Nga ana tjetër, boshllëku i lënë nga Kalaxe do të zihet prej mëngjarashit çek të Udinezes, Marek Jankulovski që është bllokuar prej kuqezinjve, qysh në merkaton e janarit. Ndërsa, për Marko Kasetin e Leçes, beteja nuk do të jetë e lehtë, sepse në lojë është vënë prej kohësh, edhe Juventusi. E megjithatë, një objektiv i madh për Ançelotin e Milanin e tij, në sezonin e ardhshëm, do të jetë mbrojtësi rumun, Kristian Çivu, i cili mbetet përforcimi ideal për prapavijën e kuqezinjve. Në mesfushë mund të quhet e mbyllur, aventura e francezit Vikash Doraso, në dyshim prezenca e Kristian Brokit, kurse zëvendësuesi i Pirlos mendohet të jetë Ksavi i Barcelonës, edhe pse transferimi i tij mund të duket gati një mision i pamundur. Nuk rreshtin zërat edhe për Stiven Zherard, oferta, për të cilin duket se i kalon 25 milionë eurot. Por, sidoqoftë një lajm i mirë mbetet njoftimi zyrtar për Alberto Xhilardinon, i cili do të formojë dyshen e fortë në sulm së bashku me Shevçenkon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›