E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qeveria miraton shitjen e Albtelekom

27/05/2005  Qeveria deklaroi miratimin e raportit të vlerësimit të ofertave dhe shpalljen e fituesit në tenderin e hapur ndërkombëtar për privatizimin e shoqërisë anonime “Albtelekom”. Kryeministri Fatos Nano u shpreh: “Duke vlerësuar shprehjen e interesit të 11 kompanive dhe pjesëmarrjen në garë të 4 kompanive prestigjioze, gjej rastin të deklaroj me kënaqësi se procesi i privatizimit të Albtelekom-it karakterizohet nga transparenca e plotë sipas ligjit. Eshtë një privatizim nga më të suksesshmit në historinë e privatizimeve të pas '97-ës, është një kontribut i paçmueshëm në rritjen e qëndrueshme të ekonomisë shqiptare". Sipas Kryeministrit. ky proces kaloi nëpër disa faza, të cilat u menaxhuan me përgjegjësi dhe profesionalizëm nga të gjithë aktorët dhe titullarët e institucioneve që ngarkon ligji për këtë gjë. Nano ka përshëndetur kompaninë italiane “IMI”, e cila certifikoi rezultatin dhe procesin në tërësi. "Konsorciumi fitues përfaqëson dy grupe ekonomike financiare shumë të fuqishme, që shërbejnë si garanci për të sjellë në Shqipëri modele dhe standarde bashkëkohore të telekomunikacionit. “Turk Telekom” është një kompani e fuqishme e një vendi fqinj dhe mik, me eksperiencë të vlerësuar botërore gjithashtu, e cila regjistron rreth 25 milionë abonentë të telefonisë fikse dhe 5 milionë abonentë mobil. “Calik Enerji Telekomunikacion” është një ndër tre grupet më të fuqishme financiare në Turqi e më gjerë. Futja e tyre në tregun e vendit tonë përbën një urë të sigurt për strukturimin e qëndrueshëm të lidhjeve integruese të ekonomisë së vendit edhe në tregun e telekomunikacioneve në ekonomitë globale, rajonale", tha Nano. Tashmë 76 për qind të aksioneve të shoqërisë aksionare Albtelekom kalojnë në favor të shoqërisë “Calik Enerji Telekomunikasyon A.S” për vlerën 120 milionë euro në kesh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›