E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sipërmarrja provate dhe liria e tregut nxjerrin vendin nga situata

27/05/2005  Neritan Seamini i PD thotë se fushatën do ia financojnë mbështetës të tij

Kandidati i PD në zonën 42 në Tiranë Neritan Seamini, thekson se vetëm tregëtia e lirë dhe forcimi i pronës janë kriteret për të zhvilluar vendin.

A keni ju një platformë konkrete për zonën ku kandidoni?

Më shumë sesa për një platformë, mund të them se gjatë fushatës do të diskutoj idetë e liberalizmit klasik mbi ndërtimin e shoqërisë. Unë besoj se liberalizmi - çlirimi i ekonomisë nga ndërhyrja e shtetit, forcimi i pronës dhe sipërmarrjes private, liritë e individit - janë e vetmja rrugëdalje që Shqipëria të shkëputet nga situata e trishtë ku gjendemi për një kohë të gjatë. Përhapja dhe vënia në jetë e këtyre ideve është qëllimi i futjes time në politikë. Te ne ka një kulturë tradicionale që e sheh jetën e njeriut të lidhur me shtetin. Ne pretendojmë shumë nga shteti dhe është e natyrshme që shteti jo vetëm nuk na plotëson dot të gjitha këto pretendime, por shpejt kthehet në zot të jetës sonë. Shteti nuk duhet të ndërhyjë në ato aktivitete, që mund të përmbushen më mirë nga iniciativa dhe veprimi i lirë i qytetarëve. Individët e lirë mund t’i avancojnë interesat e tyre më mirë se burokratët e shtetit.

Si e konsideroni rivalin tuaj politik?

Zoti Ulqini është përfaqësues tipik i Partisë Socialiste dhe është mbartës i të njëjtit mentalitet, vizion e vullnet qeverisjeje të dëshmuar nga PS-ja prej shumë vitesh. Me zotin Xhufi kam patur lidhje pune në të shkuarën dhe ruaj mendim pozitiv për të.

Ku do t'i siguroni burimet për fushatën?

Fushata ime është një nga fushatat më të lira. Financohet nga burime personale dhe donacione të miqve apo simpatizantëve. Madje, një pjesë e madhe e donacioneve janë ndihma me mjete më shumë se para, pra (zyra, makina, pajisje zyre etj.). Të gjitha donacionet private janë të regjistruara, si në shtabin tim elektoral, ashtu edhe në administratën e Partisë Demokratike.

Fitorja juaj bazohet në vlerat tuaja individuale, apo në premtimet e pambajtura të kundërshtarit?

Ndonëse të metat apo avantazhet e kundërshtarit kanë rëndësi në rezultatin e zgjedhjeve, fushata ime bazohet mbi të gjitha mbi idetë, vullnetin dhe alternativën, që unë personalisht dhe PD në përgjithësi iu ofron qytetarëve. Besoj se unë i ofroj qytetarëve atë ç’ka ata presin nga deputeti i tyre: njohuritë dhe aftësitë profesionale, ndershmërinë dhe vullnetin për të punuar për një Shqipëri më të mirë.

Keni ndonjë mesazh për elektoratin e zonës 42?

Kontributi që unë dua të ofroj si politikan nuk është e zakonshmja, me të cilën qytetarët janë mësuar deri më sot. Unë nuk dëshiroj të jem një numër në parlament, por një deputet aktiv, i cili synon të ndryshojë sistemin. Shumica e problemeve që ndesh sot shoqëria jonë nuk janë thjesht rezultat i qeveritarëve të këqinj, por rezultat i një sistemi të turbullt shoqëror, ekonomik dhe politik që është ndërtuar në vitet e tranzicionit, i cili i çon natyrshëm qeveritarët drejt abuzimit të pushtetit dhe shkeljes së interesave të qytetarëve. Unë mendoj që ne duhet të ndërtojmë një sistem ku të qeverisemi nga ligjet dhe jo nga njerëzit. Kjo ndërmarrje kërkon vizion, aftësi, integritet e vullnet dhe unë besoj se jam një në ndër ata njerëz që po hyjnë në politikë të pajisur me këto cilësi.

Arsimimi

Ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës dhe në Universitetin "George Uashington" të SHBA-ve me përqëndrim në fizikë dhe statistikë. Ka kryer studime të nivelit mastër për analiza ekonomike dhe politika publike në Universitetin e Çikagos të SHBA-ve.

Angazhimet në jetën publike

Angazhimi në jetën publike ka filluar që në vitin 1991, si një nga studentët drejtues të lëvizjes studentore të dhjetorit 1990 si dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike Shqiptare.

Nga viti 1992-1994 ka punuar në funksione të ndryshme drejtuese në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, kryesisht në fushën e hartimit të programeve të zhvillimit ekonomik dhe menaxhimit të ndihmës së huaj.

Për disa vjet ka punuar në Këshillin e Ministrave si një nga drejtuesit e koordinimit të projekteve dhe ndihmës së Bashkimit Evropian për Shqipërinë dhe si këshilltar për ndihmat e BE-së.

Përreth një vit ka punuar si Shef i Protokollit të Këshillit të Ministrave.

OJF

1994 deri në 1999 ka qenë një nga bashkëthemeluesit dhe drejtues kryesor i Fondacionit SHEFT – institucioni i parë bamirës privat në Shqipëri që ka mbështetur rehabilitimin në shoqëri të dhjetëra fëmijëve të rrugës.

Bashkëthemelues dhe drejtori i parë ekzekutiv i Institutit të Studimeve Bashkëkohore (ISB), i pari institucion joqeveritar në fushën e analizave dhe studimeve ekonomike e sociale, aktualisht një nga institucionet më të rëndësishme të analizave të politikave publike.

Bashkëthemelues dhe këshilltar i Qendrës Evropiane, institucionit më të specializuar joqeveritar në çështjet e integrimit evropian. Së fundmi, së bashku me një grup të rinjsh të shkolluar në perëndim ka themeluar Institutin Liberal Shqiptar, institucion që synon të mbrojë, përhapë dhe integrojë frymën e liberalizmit klasik në realitetin shqiptar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›