E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nëse ata që zgjidhen i zgjedhin ata që do të zgjidhen

27/05/2005  Sado që mendohet se kemi mjaftë njohuri për zgjedhjet, sa herë që afrohen ato, sikur shtrohet nevoja që sërish “t’i kthehemi” kuptimeve dhe parimeve themelore të tyre. Se sa vështirë është të flasësh për zgjedhjet, përkujton një mendimtar i madh, i cili në memoaret e veta shkruan: Kisha folur për zgjedhjet, kuptimin dhe rëndësinë e tyre, para elektoratit, për pesë orë e një çerek dhe, në fund, vetëm formalisht, kisha pyetur auditorin se a janë të gjitha të kuptueshme. Merrni me mend, dikush nga fundi, më pyeti: ”Më falni, çka ishin ato zgjedhjet”?

Kanë të drejtë gjithë ata që problematikën e zgjedhjeve e trajtojnë brendapërbrenda trekëndëshit shteti-demokracia-politika. Thuhet se zgjedhjet janë një mundësi e jashtëzakonshme për njerëzit e zakonshëm. Këtu e ka burimin aforizmi im se “Vetëm nëpërmjet zgjedhjeve, askushi mund të bëhet dikushi”.

Përse mbahen zgjedhjet? Abraham Linkoln, sikur i përgjigjet kësaj pyetjeje, edhe pse në mënyrë të tërthortë, kur thotë: ”Asnjëri nuk është i aftë të qeverisë një tjetër, pa pëlqimin e vetë këtij”. Prandaj, ndodh që ata që zgjidhen t’i zgjedhin ata të cilët do t’i zgjedhin që, fundi i fundit, i humb kuptimin zgjedhjeve të vërteta.

Pretendentët për poste “duken më të mëdhenj” në fushatën parazgjedhore sesa pasi të jenë zgjedhur në to, kur “shtiren se kanë marrë dëftesën” për poste. Në fushatën parazgjedhore, secili është aq i madh sa që “i premton elektoratit gjithçka çka ai dëshiron”, në mënyrë që, më pastaj, pas zgjedhjeve,” t’i marrë edhe atë që nuk i ka premtuar”.

Pier Mendez –France zgjedhjet i ka identifikuar me qeverisjen:” Të qeverisësh, do të thotë të zgjedhësh”. Mirëpo, populli “nuk vetëqeveriset”, por zgjedh “përfaqësuesit që e qeverisin”. Demokraci e drejtpërdrejtë do të thotë “të qeverisësh vetë”. Meqë demokracia përfaqësuese është “demokraci e qeverisur”, perspektiva është te kalimi prej demokracisë së qeverisur në “demokracinë qeverisëse“ që, për qytetarin në Shqipëri është nocion “i pakuptueshëm” përderisa as atë të parin, demokracinë përfaqësuese “nuk e ka përjetësuar”.

“Arti i qeverisjes është organizimi i adhurimit”, thotë Xhorxh Bernard Shou dhe besoj se ka të plotësisht drejtë, sepse të zgjedhurit përherë llogarisin në një armë të fuqishme: në gabimet e elektoratit që mendon se të zgjedhurit e tij “janë të fortë”.

Cilët do të mund të ishin “zgjedhësit më të mirë”?

Së pari, ata që do të zgjidhnin “njerëzit më të mirë”.

Së dyti, ata që do të shihnin qartë “dallimin midis njerëzve” që do të zgjidhnin.

Së treti, ata që do të mendonin, në “mënyrë të arsyeshme” se cilët njerëz do të mund të ishin më të mirë.

Së katërti, ata që do të vepronin “të çinteresuar për veten”.

Nuk ka dyshim se “sundimi i dikujt” është më i mirë sesa “sundimi i askujt”

Kjo përbën “formën moderne të despotizmit”. Kjo ndoshta e ka shtyr Biçerin të pohojë se “gjëja më e keqe në këtë botë, pas anarkisë, është qeveria”. Megjithatë, është “gjë e mençur” të zgjedhësh “një qeveri dhe ta provosh atë”; nëse ajo dështon, ”pranoje sinqerisht dhe provo një tjetër”. Pra, mbi të gjitha, ”provo diçka” është moto e qeverisjes, ndërsa këshilla më e mirë më duket se është kjo: ”Arti i qeverisjes është moslënia e njerëzve për një kohë të gjatë në të njëjtin vend pune”.

Me një shkrim timin të mëhershëm kam përdor vetëm pjesën e parë të mendimit të Tallejrandit: ”Arti i vendosjes së njerëzve të duhur në vendin e duhur është kusht i parë në shkencën e qeverisjes” dhe, nuk e besoj, se dikush do të mund të provonte të kundërtën. Pjesa e dytë e mendimit të tij është “një diçka” që provokon përherë: ”Arti i gjetjes së vendeve për të pakënaqurit, është më i vështiri”.

Sistemet e zgjedhjeve, në të shumtën e herave, në Shqipëri i ka vendosur politika, e jo drejtësia, kështu që sistemet mazhoritare ose proporcionale, kanë ndikuar në përbërjen e parlamentit të vendit. Për të dyja këto sisteme thuhet se “janë demokratike”.

Barazia nuk është “një realitet”, por “një parim vlerash”

Po qe se në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri pretendohet “barazi”, duhet të pretendohet edhe “parim vlerash” që sigurojnë ato. Nuk mjafton të thuhet se barazia është “e kundërta e pabarazisë”, sikurse nuk mjafton të thuash se “vlera është e kundërta e jovlerës”. Kush nuk e kupton të parën, s’mund t’i përgjigjet as të dytës.

Do të dëshiroja që “era e historisë” të ndryshojë drejtimin në Shqipëri dhe të fryjë “vetëm në anën e demokracisë”. Do të dëshiroja që ajo erë “të kthejë faqen e librit nga ardhmënia”.

Sikur ta përshtasja një mendim, të shfaqur në lidhje me gazetarinë, për thelbin e zgjedhjeve,atëherë do të mund të pohonja se “Thelbi i parë i zgjedhjeve është të dish çfarë dëshiron; i dyti të gjesh kush do të realizojë atë”. Prandaj,” nëse do që një punë të bëhet mirë, zgjidh një njeri që është i zënë: të tjerët nuk kanë kohë”. Shqipëria ndien nevojën për të parët.

(*Autori është profesor i Universitetit të Prishtinës dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›