Milan, shkëmbim surprizë Ronaldinjo-Robinjo?
Një hipotezë surprizë në merkato ka marrë jetë dje paradite në faqen sportive italiane "calciomercatoneës.com". Milani po vlerëson mundësinë e një shkëmbimi të Ronaldinjos me Robinjon me Mançester Sitin. Të dy brazilianët po kalojnë një periudhë jo të mirë në skuadrat e tyre respektive. Kuqezinjtë janë në dijeni të interesit të madh të Sitit për Dinjon, ndërsa ish-futbollisti i Realit të Madridit ka bërë tashmë të ditur se dëshiron të largohet nga Mançesteri. Prandaj është duke u punuar për një shkëmbim të mundshëm mes dy klubeve. Sikurse mësohet, kuqezinjtë italianë do të duhet të derdhin në arkat e anglezëve një shumë ekstra prej 10 milionë eurosh. Një gjë e tillë favorizohet edhe nga fakti se ylli brazilian i Milanit po kalon një krizë dhe po zhgënjen edhe Berluskonin, sponsorin principal të tij, njeriun që publikisht e ka mbrojtur fort faktin e rikthimit të tij në nivelet e dikurshme. Pra, edhe vetë Silvio Berluskoni, pasi ka përsëritur për javë të tëra se "Ronaldinjo është një lojtar i madh dhe do të jetë sërish", duket se është bindur se manovra e Milanit është efikase pa prezencën në fushë të ish-"Topit të Artë", i cili u injorua sezonin e kaluar nga Ançeloti. Kritikë të shumtë kanë nënvizuar kurajën e treguar nga trajneri brazilian, Leonardo, në përjashtimin e beniaminit pikërisht nga ndeshja debutuese në Champions League. Por, në të vërtetë, flitet për një vendim surprizë, duke marrë në konsideratë se tekniku dhe presidenti komunikojnë thuajse çdo ditë me njëri-tjetrin. Është kaq e vështirë ta mendosh se "Il Cavaliere" nuk informohet për skuadrën, e cila me Dinjon në fushë luan si të ishte me 10 lojtarë, apo për impenjimin e paktë të numrit 80 të kuqezinjve në seancat stërvitore. Dhe mbi të gjitha: në një qytet, ku të gjithë dinë gjithçka, si është e mundur që Berluskonit i ka shpëtuar fakti që Ronaldinjo e tejkalon shpesh kufirin e jetës që duhet të bëjë një lojtar profesionist (e kanë parë të bëjë jetë nate edhe pas asaj humbjeje të turpshme 4-0 në derbin me Interin)? Përgjigjja është jo. Madje, ata që i qëndrojnë pranë Kryeministrit italian flasin për një Berluskon të zhgënjyer. I kishte kërkuar fantazistit të tij të sforcim për t‘u bërë simbol, udhëheqës, njeriu kopertinë, por Ronaldinjo nuk po i përgjigjet.