Real Madridi, një borxh prej 600 milionë eurosh
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, do të mbledhë të dielën asamblenë e anëtarëve, pasi llogaritë e klubit shënojnë një borxh prej 580 milionë eurosh dhe do të prezantojë një buxhet rekord prej 426 milionësh. Lajmin e bën të ditur e përditshmja "El Periodico". Klubi madrilen, i cili deri ditën e mbledhjes nuk dëshiron të konfirmojë të dhënat ekonomike, ka një borxh me terma afatshkurtër për një vlerë prej 168 milionë eurosh, ndërsa borxhi me entitetet e kredisë arriti 175 milionë euro. Në asamble do të duhet të aprovohet kredia prej 151.5 milionë eurosh, e dhënë nga "Banka Santander" dhe nga "Caja Madrid" për Perezin, për fushat e blerjeve verore. Buxheti i madrilenëve për këtë sezon do të arrijë shifrën 426 milionë, ndërsa hyrjet nga përfitimet janë parashikuar në ngjitje dhe pritet të kapin shifrën 445 milionë euro. Gjithsesi, bilanci përfundimtar pritet të bëhet të dielën.