E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milan u mbrojt mirë

Nga Express më 14 shtator 2011 në ora 14:35

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola e ka komentuar barazimin e skuadrës së tij 2:2 ndaj Milanit në Camp Nou, në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Trajneri spanjoll mendon se Rossonerët u mbrojtën mirë dhe e morën atë për të cilën kishin udhëtuar.

“Nuk është kurrë e lehtë të sulmosh kur mesfushorët e tyre konvertohen në qendër mbrojtës. Nëse u duhej të mbrohen tek penalltia, ata e bëjnë këtë. Milani ka meritë të madhe për këtë rezultat. Ata e sulmuan portën tonë dy herë e gjysmë dhe e morën një pikë. Ne megjithatë bëmë një lojë të mirë, nëse i konsiderojmë 90 minuta. Ne e mbyllëm Milanin, por ka gjëra për të cilat duhet të mësojmë”, tha Guardiola pas ndeshjes.

Në anën tjetër, trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, i ka përgëzuar lojtarët e tij për sakrificën që bënë ndaj ekipit më të mirë në botë të momentit.

“Jemi sakrifikuar dhe në fund djelmoshat u shpërblyen. Skuadra luajti mirë në fillim duke krijuar raste të mira, mund të shkonim në 2:0. Më pas, bëmë mirë që nuk ramë nga ritmi, pas 2:1. Në pjesën e dytë mund të luanim më mirë, por jemi angazhuar të gjithë. Me Barcelonën, është e lehtë t’i marrësh 3-4 gola”, theksoi trajneri italian.

Milani kaloi në epërsi në fillim të ndeshjes me golin e Alexandre Patos, kurse shifrat në 1:1 i barazoi Pedro Rodriguez, në pjesën e parë. Në atë të dytë, katalunasit i kaloi në avantazh David Villa, kurse në fund të ndeshjes, Thiago Silva shënoi me kokë, për t’ia dhuruar një pikë Rossonerëve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›