Milani ankohet në referim

Në ndeshjen e kthimit çerekfinale të Ligës së Kampionëve, në dëm të skuadrës Rossonere u akorduan dy penallti, prej të cilave e dyta u konsiderua shumë e ‘lehtë’ për t’u dhënë nga ana e shtatë herë kampionit italian.
“Një penallti ia dhuruam ne Barcelonës, kurse një tjetër ia bëri dhuratë gjyqtari”, theksoi trajneri Massimilano Allegri pas ndeshjes, pasi u eliminua ekipi i tij nga ky kompeticion.
“Penalltia e dytë nuk ekzistoi. Më vjen keq, sepse arriti në momentin kur Barça nuk po bënte asgjë. Barcelona ishte më e fortë, por djelmoshat e mi nuk mund t’i akuzoj aspak”, shtoi trajneri italian, të cilit tash i mbetet ta fitojë titullin e kampionit në Serie A.
Edhe sulmuesi Zlatan Ibrahimovic e ka akuzuar gjyqtarin e ndeshjes. Sipas sulmuesit suedez, trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, kishte të drejt kur thoshte se është e pamundur të fitosh në Camp Nou.
“Nuk e kuptoj pse u dha penalltia e dytë. Por, tash e kuptoj pse Mourinho është i mllefosur gjithmonë në Camp Nou dhe kur thotë se është e pamundur të fitosh këtu. Nëse gjyqtari e dha penalltinë e dytë, atëherë është dashur të vërshëllente edhe penallti kur u rrëzova unë”, tha Ibrahimovic pas ndeshjes.
Mediet italiane i kanë dhënë theks të veçantë këtij rasti, duke nënvizuar se Barça shkoi në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve me ndihmën e gjyqtarëve. Mirëpo, kështu nuk mendon edhe trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, i cili insiston se të dyja penalltitë, të cilat u akorduan në dobi të ekipit të tij në fitoren 3:1 ndaj Milanit, ekzistuan.
“Ekzistuan të dyja penalltitë. Kur e kap një lojtar për fanelle në zonën e rreptësisë, vërshëllehet penallti”, theksoi Guardiola për Sky Sport. – “Nuk ishte e lehtë të luanim kundër Milanit, por arritëm të krijonim shumë raste dhe u mbrojtëm mirë. I bëmë 21 goditje në portë, kurse Milani 3. Në pjesën e dytë, pas rezultatit 2-1, e kishim në kontroll lojën më shumë”, vazhdoi trajneri spanjoll, i cili i përgëzoi lojtarët e tij për lojën që e shfaqën ndaj kundërshtarit.
Ekipi italian, i cili humbi 3-1 në Camp Nou, u ankua se penalltia e dytë, kur Sergi Busquets u ndal nga Alessandro Nesta, nuk ekzistoi. Të dy 11 metërshat në gol i shndërroi Lionel Messi, kurse një gol tjetër e shtoi Andres Iniesta. Për mysafirët, golin e pamjaftueshëm e realizoi Antonio Nocerino.