Preferoi Cityn, para Juventusit

Sinan Bytyqi e ka zgjidhur të ardhmen e tij. Futbollisti kosovar ka nënshkruar kontratë trevjeçare me Manchester Cityn, njoftojnë mediet austriake. Talentin e 17 vjeçarit e kishin vërejtur drejtuesit e klubit anglez që në vitin 2009, kur luante për akademinë e ekipit Admira.
Edhe pse kishte kontratë me klubin austriak, kjo nuk e pengoi atë ta realizojë ëndrrën – të transferohet në një klub anglez. Për shkak të moshës së re, siç ndodh edhe në rastet tjera, nuk bëhet e ditur shuma e transferit. Por, drejtuesit e Admirës thonë se kanë kërkuar një çmim të arsyeshëm nga klubi i Sheikh Mansourit.
“Ne jemi sjellë fer, nuk kemi bërë kërkesa enorme”, ka thënë menaxheri i Admirës, Alexander Friedl, në një intervistë për ueb faqen austriake sport10.at. – “Familja po ashtu na ka informuar se nuk ishte përfshirë asnjë konsulent në këtë transfer”, shtoi ai.
Bytyqi gjendet aktualisht në Manchester, ndërsa shumë shpejt do të shkojë me ekipin U19 në një turne në Abu Dhabi. Ndër të tjera, prindërit e tij, të cilët banojnë në Karnten, pritet t’i bashkohen në veriperëndim të Anglisë.
I gjatë 1,84 centimetra, Bytyqi ishte lindur në Prizren, qyteti i dytë më i madh në Kosovë. Ai ka nënshtetësi austriake dhe vjen nga ekipi U-17, i cili drejtohet nga selektori Andreas Heraf.
“Sinani është një mesfushor ofanziv, i cili mund të veprojë suksesshëm në lartësi. Është i shkathtë dhe lëviz këmbët me thjeshtësi. Kam parë përparime tek ai, por që mund të përmirësohet edhe më shumë”, deklaroi Heraf.
Bytyqi bëhet kështu futbollisti i dytë që nga akademia e Admiras shkon në Angli. Më parë, në vitin 2007, një gjë të tillë e bëri edhe Georg Krenn. “Ndryshimi i vendit po ashtu është edhe një rrezik dhe një sfidë humane. Për një lojtar që është në pubertet dhe në fazën e rritjes, mund të ekzistojë edhe dështimi. Por, unë nuk brengosem për të”, ka shtuar elektori Heraf.
Bytyqi ka stërvitur me ekipet U-18 e U-19 të Cityt në ekipet e rezervistëve sezonin e fundit. Ai është përdorur më shumë nga këto dy ekipe të të rinjve. Ai synon të vazhdojë me ekipin anglez, edhe pse në dyert e Admiras kanë trokitur ekipe si Werder Bremen, Schalke e Juventus.
“Ai është top lojtar, do të dëshironim ta mbanim. Por, kur klubet e mëdha shfaqin interesim për të, ne nuk e kemi ndërmend ta ndalim, pasi që ajo mund të jetë mënyra më e mirë për t’u zhvilluar”, vazhdoi menaxheri i Admiras, Friedl.
Në tetor të vitit të kaluar pjesë e Manchester Cityt është bërë edhe talentin kosovar Bersant Celina, i cili ka luajtur me skuadrën norvegjeze Stromsgodset.