E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pato, 14 lëndime për 27 muaj

Ndeshja e së martës mbrëma ndaj Barcelonës ka zgjatur vetëm 14 minuta për Alexandre Paton. Ishte minuta e 24-t e pjesës së dytë, kur, tek rezultati 3:1 për Barcelonën, trajneri Massimiliano Allegri kishte vendosur ta fuste në lojë sulmuesin brazilian. Mirëpo, Pato, i cili ishte rikthyer së fundmi nga SHBA-të, pësoi sërish tërheqje muskulore.

Të gjithë prisnin që Pato do të ishte vendimtar në duelin që u zhvillua në Camp Nou. “Kjo mund të jetë ndeshja e Patos. Befasia e sfidës Barcelona-Milan mund të jetë pikërisht braziliani”.

Kështu shkruanin mediet para lojës, pasi mjeku i Milanit, Jean Pierre Meersseman deklaroi se është zbuluar më në fund arsyeja pse përfaqësuesi brazilian po lëndohet aq shpesh.

Por, nuk doli kështu. 22 vjeçari e pësoi lëndimin numër 14 vetëm në 27 muajt e fundit. “Jam i brengosur, mbi të gjitha për djaloshin”, ka thënë trajneri Allegri pas ndeshjes.

Pato do t’ia nisë nga fillimi tretmanëve, fizioterapive dhe ekzaminimeve me shpresën të rikthehet në ndeshjet e fundit të sezonit, eventualisht të jetë gati për sezonin e ardhshëm.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›