E Diel, 1 Nëntor 2026

Milani, derbi ne dyshim

10/04/2005  Kapiteni i Milanit, Paolo Maldini, ka pësuar një dëmtim që e ka lënë jashtë ndeshjen e djeshme kundër Breshias, ndërkohë që në dyshim është pjesëmarrja e tij edhe në derbin e së martës, kundër Interit. Sipas stafit mjekësor të klubit kuqezi, Maldini ka pësuar një dëmtim në muskujt e kofshës dhe duhet të pushojë disa ditë. Në kampin kuqezi nuk ka shenja alarmi, sepse dihet aftësia e kapitenit për t’u riaftësuar, por gjithsesi, një dëmtim muskular është më shqetësues se një goditje e thjeshtë. Kanë mbetur edhe dy ditë nga euroderbi kundër Interit, ndërkohë që Maldini ka pushuar ditët e fundit dhe do të përpiqet të stërvitet sot. Nëse nuk do të ketë probleme, atëherë Ançeloti do ta përfshijë në skuadrën anti- Inter, përndryshe do të jenë mjekët e Milanit, ata që do të merren me kapitenin. Pas një dëmtimi në gjurin e majtë, që e kishte detyruar të dilte gjatë ndeshjes Milan- Sampdoria në 13 mars, Maldini u riaftësua plotësisht dhe luajti që nga fillimi kundër Romës, në “Olimpiko”. Gjatë javëve të fundit, kapiteni është stërvitur rregullisht dhe ka shfaqur një formë shumë të mirë fizike. Ky dëmtim i ri ndërlikon planet e Ançelotit në lidhje me derbin, pasi dihet rëndësia e Maldinit në mbrojtjen kuqezi. Duke pasur parasysh faktin që bëhet fjalë për një problem muskular dhe duke llogaritur forcën e shkëlqyer reaguese të kapitenit, një rekuperim i rrufeshëm i tij për derbin nuk është për t’u përjashtuar, megjithatë mjekët e klubit kanë paralajmëruar se do të duhet një mrekulli. Nëse do të riaftësohet, Maldini do të luajë në vendin e zakonshëm, në të majtë të mbrojtjes, duke bërë që Milani të luajë me të njëjtën mbrojtje të ndeshjes së parë, e konsideruar nga Ançeloti si një nga më të fortat në botë. Në rast se kapiteni nuk do t’ia dalë mbanë, hipoteza më e mundshme është ajo e zëvendësimit nga Kakaber Kaladze, gjithmonë nëse ky i fundit do të zgjidhë problemet fizike. Në rast të kundërt, do të jetë përësëri njëri prej Pankaros e Kostakurtës, ndërkohë që ka pak mundësi të luajë Serxhinjo, duke pasur parasysh që në krahun tjetër ndodhet Kafu, i cili luan pothuajse si sulmues.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›