“...të çmendurit...” e Mehmet Krajës
10/04/2005 (Vështrim kritik i romanit “Edhe të çmendurit fluturojnë” i M.K., botim i shtëpisë botuese “Onufri”, Tiranë)
Një personazh i arratisur nga një shtëpi të çmendurish menjëherë pas luftës në Kosovë, me emrin domethënës Kukum dhe rrëfimet e përjetimet e tij; historia e Marias dhe drama e një populli e personalizuar sipas fatit dhe rrjedhës së personazheve, gjuha e bollshme dhe mjeshtëria e të shkruarit janë të gjitha brenda romanit të Mehmet Krajës, “Edhe engjëjt fluturojnë”, që i përcillet lexuesit tonë si një përfaqësim i denjë i letërsisë së botuar në Kosovë.
***
Dita e parë kur pushoi zjarri i luftës në Kosovë, u shfaq me pamjen rrënqethëse të një njeriu të çmendur, mbështjellë me një pardesy të bardhë, personazhi kryesor i romanit “Edhe të çmendurit fluturojnë” i Mehmet Krajës, që endej udhëve pa asnjë destinacion të përcaktuar. Marrëzia e tij nuk ka të bëjë shumë me botën, por më tepër me njeriun, me të vërtetën e vetes që ai di ta perceptojë. Ka mbaruar lufta dhe tmerri, janë hapur dyert e spitalit dhe të çmendurit lëvizin e kthehen herë pas here atje ku qenë, në portën pa roje të spitalit. I marri i kujton çdonjërit të vërtetën e vet. Me gjuhën e tij prej budallai, që duket e paarsyeshme, thotë fjalët e arsyeshme. U tregon dashurinë të dashuruarve, realitetin e dobët të gjërave krenarëve, të pacipëve dhe gënjeshtarëve. Në çastet kur vdekja vjen vërdallë, klithma më e denjë për ta zyrtarizuar dhimbjen njerëzore është fjala ‘Kukum’ e ardhur prej Ku-ku, moj nënë! Sipas kësaj lloj pasthirrme, e cila i ngjitet personazhit kryesor në udhëtimin e tij të frikshëm mes lakuriqësisë dhe mbulojës ordinere të llojit klasik- çmendurisë së bardhë (jo pardesyja e bardhë!) ndërtohet i gjithë figuracioni rrënqethës i një kohe, i një pjese kombi, i një romani, i cili është i ndërtuar mbi paralele të mëdha, të cilat mbahen fort në dy metafora të fuqishme, rreth të cilave lidhen si qindra fije rreth një kavoje çeliku, e që, ose të ndjek hap pas hapi në emocionet që ftillohen në ndërgjegje si lexues, ose të ndjek fjalë pas fjale në logjikën dhe absurdin që përplasen pa asnjë lloj të ashtuquajturi “kujdes për të mos shpërdoruar”.
Metafora e parë është vetë çmenduria e njeriut, e cila e udhëton pa bujë dhe gjithë gjurulldi menjëherë pas lufte, kur një spital psikiatrik në rrethinat e Kosovës hapet dhe gjithë të sëmurët dalin prej saj dhe enden si pika të çakorduara të një simfonie tragjike. Kukumi është mbartësi kryesor i dramës, e cila tjerret mjeshtërisht prej autorit në të gjitha paragrafet e romanit, është përcjellësi dhe zhbiruesi i kohës, njerëzve, jetëve të tyre dhe deformimit të trajtave të lirisë njerëzore. Paralelisht me të udhëton një qen, në sytë e të cilit nuk dihej se ç’pamje merrnin njerëzit, pasi në vështrimin e një kafshe besnike si qeni, edhe spitali i të marrëve kishte kuptim tjetër. Të kujton paksa Qenin e lotëve të Saramagos te romani “Verbëri”, por është krejt tjetër gjë, sepse nëse te “Verbëri” qeni i lotëve ndjek një udhëtim besnik me të verbërit, në romanin “Edhe të çmendurit fluturojnë”, qeni është bashkudhëtar i një piskame vajtuese (Kukumi!), që përpiqet të largohet sa më shumë nga vdekja. Pasi lexuesi kthjellon pikëvështrimet e tij në këto personazhe, autori prezanton Marën, një grua tjetër të çmendur, e cila shfaqet si një copë hënë në rrokopujën mendore të Kukumit. Në çastin e ndërmjetëm shfaqet koncepti i lirisë, herë si objekt, herë si subjekt. Kukumi është mëse i bindur se, liria, ashtu e mbështjellë nga nata me lëkurën e saj prej bualli, nuk mund t’i zgjidhte të gjitha enigmat e kësaj bote. Histori të njëpasnjëshme rrënqethëse, duke filluar me përdhunimin makabër të Marës, me dashurinë simbolike që jepet me detaje të fuqishme si përqafimi i degëve të dy plepave pas vdekjes së dy pleqve, të palodhur për të shpresuar deri në fund, pardesyja e Kukumit mbërthyer me tri komça teli të çon domosdoshmërisht në idenë e thjeshtë dhe universale, se asgjë nuk mund të mbërthejë e burgosë lirinë njerëzore si koncept filozofik, apo si enzimë jetëdhënëse e aparaturë matëse për marrëdhënien ndërnjerëzore. Ndërmjet një narracioni të ngjeshur, shpërthen herë pas here urrejtja dhe vdekja, e cila nuk fal, qoftë edhe të marrët, pasi ata janë më të frikshëm kur duhet dëshmuar një kohë, një histori. Të tjerët e ndërtojnë historinë si të duan, ndërsa të marrët e vështrojnë atë pa hile. Kjo duket nga biseda e gazetarit të huaj me Kukumin dhe breshërinë që e mbylli gjithë çmendurinë e personazhit, me vajin e qëndrimin stoik e të përhumbur të Marës për tri ditë e tri netë. Koka e prerë e Ilhamiut në thesin e serbit Stevë, sikur të peshonte me dëshirën për të futur kokën e një kombi e mbytur në thesin e madh të hakmarrjes nacionaliste. Asgjë nuk jepet si një raport zyrtarësh gjumashë. Drama tronditëse e njeriut drejt përkufizimit të lirisë dhe menaxhimit të saj, pa i bërë dëm të tjerëve, jepet mjeshtërisht sipas ligjësive të letërsisë.
Autori mbështetet dhe ia beson këtë fabul një mjeshtërie artistike, e cila shfaqet jo rastësisht, jo në mënyrë fragmentare, por në të gjitha hallkat e librit, duke filluar me frazën dhe gjuhën tejet të pasur.
Paradoksi si muzë shfaqet tinëzisht në monologët apo rrëfimet për Kukumin dhe mendimin e tij, i cili asnjëherë nuk është i marrë brenda vetes. Të jesh me mendjen në vend në mes të çmendurve, të marrin për të marrë. Historitë e personazheve jepen sikur ato nuk mbarojnë kurrë, njëra më tronditëse se tjetra, pa mbaruar e para ngjeshet e dyta, gati pafundësisht. Pafundësi që e ka shembur më shumë se çdo gjë tjetër shpirtin njerëzor. E pafundmja ka reaguar gjithmonë në mënyrë nxitëse e produktive mbi të drejtën më shumë se mbi çdo ide tjetër. Por e pafundmja është megjithatë nevojë për të shpjeguar më shumë se çdo koncept tjetër. Ndaj autori nga ideja e një tregimi për këtë fabul arriti të ndërtojë mjeshtërisht romanin, edhe pse në shumë raste shkrimtarët dështojnë në rikonstruksione të këtij lloji artistik. Marrëzia e të gjithë njerëzve ka qenë të mos shikohej se vdekja po afrohej, tani urtësia do të bëjë kudo denoncimin e marrëzisë, duke u mësuar njerëzve se ata tashmë nuk janë asgjë më tepër se të vdekurit dhe, nëse fundi është i afërt, është në masën në të cilën marrëzia e bërë universale, nuk do të jetë më tepër se një gjë e vetme me vetë vdekjen.
Sa mund të tregojë “gjuha”
Të përdorësh mjeshtërisht gjuhën për të ndërtuar një strukturë, e këtë strukturë t’ia servirësh lexuesit me mjetet artistike që fuqizohen, duke u shtuar njëra pas tjetrës, kjo është një formë e mjeshtërisë së të shkruarit dhe një provë serioziteti e cilësie premtuese. Esenca e shkrimtarit ushtrohet paradoksalisht mbi instrumentin e tij, gjuhën. Megjithatë, nuk mund të mos kujtoj, se përdorimi i habitores (i paskësh thënë... etj.) në mënyrë të njëpasnjëshme në rrëfimin e një ngjarjeje brenda romanit, e lodh lexuesin dhe e bën të kuptojë me dyshim atë që lexon. Përdorimi i formës mëse të kryer të dëftores (i kishte thënë…) gjithashtu është një përdredhje e panevojshme, kur ajo vjen më e besueshme në të pakryerën (thoshte..) apo në të kryerën e thjeshtë (tha…). Nuk mund të mos më mbetet merak se forma që i ka dhënë autori një marrëdhënieje seksuale jepet në shprehjet më të padëshirueshme për të ndodhur, gjithmonë një përdhunë, gjithmonë një kapërcim i thelbit të neverisë, duke përjashtuar dashurinë me simbolet e dy plepave që priteshin e rimbilleshin sërish, që përbën një pikë shumë të fuqishme dhe një gjetje artistike nga më mjeshtëroret për të rrëfyer kufijtë e dashurisë. I vetmi personazh që i rezistoi udhëtimit absurd rreth thelbit të ngjarjeve dhe zbërthimit të kuptimit të pakuptimtë të asaj së ndodhurës, është qeni, i cili na lë ende në vesh një hangullimë të largët trishtimi, edhe pasi ka mbaruar leximi i romanit. Të çmendur që janë të besueshëm dhe njerëzorë para çmendurisë që shkatërron një komb, duket sikur sendërzohet ajo hangullimë e trishtueshme qeni të braktisur.