E Diel, 1 Nëntor 2026

Monografia e parë në bibliografi

10/04/2005  Për Jup Kastratin

Ka disa vjet që studiuesi Begzad Baliu paraqitet me studime dhe projekte të ndryshme në fushë të bibliografisë, duke filluar nga botimet e veçanta deri te konferencat shkencore. Ka përgatitur për shtyp dorëshkrimet e profesor Jup Kastratit, “Bibliografia e profesor Eqerem Çabejt”, vëllimin e parë të veprës “Bibliografi albanistike”, (nga katër vëllime të planifikuara), studimin hyrës dhe përmbyllës të bibliografisë së Ruzhdi Ushakut, disa studime, recensione, vlerësime për bibliografinë dhe historinë e saj etj., ndërsa nga biografia e tij kuptojmë se pritet të dalin nga shtypi librat “Bibliografi e studimit të veprës së Eqerem Çabejt në Kosovë” dhe “Mbi autorësinë e veprës Bibliografia e Skënderbeut”.

Libri “Vepra bibliografike e profesor Jup Kastratit” është monografia e parë e këtij lloji në studimet albanologjike. ǒështë e vërteta, kërkimeve në fushë të bibliografisë nuk iu kanë munguar veprat bibliografike, qofshin ato përshkruese, kronologjike apo edhe speciale, si edhe ndonjë studim për autorë a fusha të caktuara, por i ka munguar një monografi e veçantë e karakterit të plotë shkencor. Vepra e Begzad Baliut, më në fund promovon edhe këtë fushë në studimet albanologjike, për disa arsye: së pari, studimi është bërë duke u nisur nga metoda diakronike; së dyti, është projektuar vepra e plotë dhe shterruese e njërit prej studiuesve më të rëndësishëm të bibliografisë dhe albanologjisë dhe, së treti, por jo së fundi, vepra është një sintezë me të gjithë përbërësit e kësaj natyre.

Monografinë e tij, autori e ka ndërtuar në pjesë, kapituj dhe nënkapituj, që kanë këtë strukturë: I. Konceptet shkencore të profesor Jup Kastratit për bibliografinë, II: Veprat e Jup Kastratit në aspektin historik–kronologjik; III: Sintezat, IV. Çështje të vlerësimit të veprës së tij, V. Bibliografia e bibliografisë së Jup Kastratit, Literatura dhe Indeksi.

Të gjithë kapitujt me radhë dëshmojnë se autori e njeh mirë dhe saktë metodën e studimit, madje, edhe të asaj materie për të cilën përvoja e studimit te ne ka munguar dhe vazhdon të mungojë edhe më tej. Siç dihet, në studimet albanologjike ekziston vetëm një numër tekstesh, kryesisht parathënie, artikuj recensionalë dhe vlerësime për autorë dhe kontribute të tyre (Norbert Jokli, Palok Daka, Jup Kastrati, Vinçenc Malaj etj.), me jo më shumë se një tabak autori. Profesor Jup Kastrati është autor i pjesës më të madhe të tyre. Ndonëse në Universitetin e Prishtinës është dhënë një tezë magjistrature në fushë të bibliografisë, si edhe në Universitetin e Kozencës një tezë doktorate, kjo është monografia e parë që u botua në fushë të bibliografisë, jo vetëm në Prishtinë, por edhe në qendrat albanologjike, përgjithësisht.

Kapitulli hyrës “Konceptet shkencore të profesor Jup Kastratit për bibliografinë”, dallohet për shtjellim me kompetencë teorike të koncepteve shkencore të Jup Kastratit për biliografinë, nga njësitë më të vogla deri te përmbledhjet dhe korpuset e mëdha shkencore të kësaj natyre, nga bibliografitë speciale deri te ngritja e institucioneve shkencore profesionale, për njohjen e zhvillimit historik të bibliografisë, vendin e Jup Kastratit dhe ndihmesën e tij që ka dhënë në këtë fushë etj.

Kapitulli Veprat, merret me studimin e veprave themelore të tij në fushë të bibliografisë, sipas kronologjisë. Fjala është për një kapitull, i cili do durim të madh dhe njohje të gjerë kulturore e shkencore, jo vetëm për ta shkruar, por edhe për ta lexuar. Janë komentuar këtu botime në fushë të gjuhësisë, letërsisë, folklorit, historisë, kulturës etj., është bërë tipologjia e tyre dhe u është gjetur vendi shumë prej tyre në kronologjinë historike, shkencore dhe kulturore të albanologjisë. Mendoj se vetëm një studiues, që dijen në fushë të albanologjisë e ka plotësuar çdo ditë dhe për një kohë të gjatë, ia ka arritur ta përfundojë një vepër të kësaj përmase.

Kapitulli Sintezat, është një përpjekje për tipologjizimin e interesimeve të profesor Jup Kastratit në fushë të bibliografisë. Është bërë një paraqitje teorike dhe historike me një terminologji të saktë shkencore, të pasuruar edhe nga vetë autori. Studimet albanologjike kanë njohur një numër shkrimesh me vlerësime për autorë dhe tekste në fushë të bibliografisë, por përgjithësisht i kanë munguar sintezat më të mëdha, qoftë për autorë, qoftë për fusha studimi.

Në kapitullin “Çështje të studimit të veprës së tij”, autori iu jep përgjigje disa problemeve të shkruara në aspektin historik të kapitullit të parë, mbi vlerësimin e punës së Jup Kastratit në këtë fushë dhe mbi përdorimin anësor të kërkimeve të tij. Një vend të rëndësishëm, autori iu lë komenteve të autorëve të shumtë për veprat dhe studimet e Jup Kastratit, të cilat edhe më tej gjenden në dorëshkrim.

Vepra mbyllet me Bibliografinë e bibliografive të Jup Kastratit dhe me Literaturën e Treguesin.

Në tërësi, kjo vepër dallohet për një kërkim shterrues të materialeve të botuara dhe atyre në dorëshkrim, shembull i së cilës është edhe botimi i “Relacionit… (në dorëshkrim) të Jup Kastratit. Ndonëse pjesa më e madhe e veprave studimore dhe përshkruese janë botuar pjesërisht apo plotësisht, autori në rastet më të shpeshta ato i ka shfrytëzuar nga dorëshkrimet. Me të drejtë. Shumë nga këto vepra, të cilat në dorëshkrim i kalojnë dymijë faqe, janë botuar pjesërisht, të reduktuara për shkaqe nga më të ndryshmet, kanë qenë të panjohura fare, janë përfshirë pjesërisht (kryesisht pa komente) në vepra të përfunduara apo janë menduar vetëm si projekte të veprave, të cilat nuk janë shkruar kurrë. Kjo vepër pritet të nxisë jo vetëm diskutime, por edhe polemika. Autori është treguar shumë i kujdesshëm në paraqitjen e këtij materiali. Edhe pse ka vlerësuar lart veprën e bashkautorëve Biçoku-Kastrati, në fund të kapitullit të parë ka sjellë të plotë një tekst (versionin e parë nga tre versionet që ruhen) të nxjerrë nga arkivi personal i profesor Jup Kastratit. Do të mbetet në interesimin e bibliografëve dhe arkivistëve, që edhe më tej çështjen e autorësisë së veprës Bibliografi e Skënderbeut ta hulumtojnë dhe nxjerrin në dritë. Siç duket, edhe nga një titull vepre në dorëshkrim, autori këtë çështje e ka planifikuar në një version më të plotë, në një vepër më vete.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›