E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndalet Milani

10/04/2005  Pas suksesit në Ligën e Kampioneve, skuadra e Ançelotit ka barazuar në shtëpi kundër Breshias

Pas 8 fitoresh rresht në kampionat, “Djalli” nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1 : 1 kundër Breshias, pas triumfit në Ligën e Kampioneve, kundër Interit. Karlo Ançeloti e kishte parandjerë, sepse “Djalli” paraqitej në këtë sfidë me shumë mungesa dhe pa pasur kohë që të shlodhej. Me një formacion “gjysmak”, ku binin në sy mungesat e Maldinit, Stamit, Kakasë, Krespos e Kaladzes, kuqezinjtë hidhen menjëherë në sulm për të mbyllur sa më shpejt takimin me “dallëndyshkat”. Dhe goli ka ardhur shpejt, që në minutën e 14-të, me anë të Rui Kostës, i cili shënon me një gjuajtje të shkëlqyer nga jashtë zone dhe duke festuar në mënyrën më të mirë rinovimin e kontratës së tij me Milanin. Megjithatë, Breshia nuk ka ndërmend të dorëzohet dhe përkundrazi, luan më mirë se Milani dhe krijon raste të pastra shënimi. Milani duket se kënaqet përpara kohe me rezultatin dhe mendon thjesht të administrojë, por pa “senatorët” Maldini e Stam, mbrojtja kuqezi “fut ujë” nga të gjithë krahët. Pjesa e dytë është fotokopje e së parës, me Breshian që ngulmon për të marrë të paktën një pikë “të artë” në luftën për të mos rënë nga Seria A. Pikërisht kur dukej se mbaroi, Breshia gjen barazimin, me një gol të bukur të kamerunensit Uome. Nuk ka më kohë dhe Breshia feston, ndërsa Milani duhet të kënaqet me një barazim zhgënjyes.

Nuk meritonim më shumë

Trajneri i Milanit, Karlo Ancceloti, është i qetë pas barazimit me Breshian: “Vuajtëm shumë, por nuk është e lehtë të përgatisësh ndeshje të tilla. Shënuam shpejt dhe patëm mundësi të tjera, por bëmë shumë gabime në mbrojtje dhe Breshia e meritoi barazimin. Vinim nga 8 fitore rresht në kampionat dhe një barazim është mëse i pranueshëm. Nuk kemi pse ta kthejmë në një tragjedi, por të mendojmë për ndeshjen e së martës, kundër Interit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›