Milani është në ndjekje të Zlatan Ibrahimoviçit
Barcelona, në mënyrë zyrtare, ka hequr Ibrahimoviçin nga merkato, duke përgënjeshtruar zërat për një shitje të suedezit. Por ish-interisti duket se i ka valixhet gati dhe mund të ketë një rikthim surprizë në Itali. Sipas së përditshmes katalanase “Sport”, në radhë të parë është Milani, i cili provoi t’ia merrte Juventusit që në 2006, pas shpërthimit të “Calciopoli”-t. Berluskoni ka ndërmend të kënaqë tifozët e kuqezinjve me një blerje të madhe dhe Ibrahimoviç do të ishte një goditje perfekte në sulm, ku Inzagi nuk është më i ri dhe Huntelar nuk po bind. Marrëdhëniet e mira me Barçën mund të thjeshtojnë operacionin. Ibra është ndier mirë në Milano, por vështirë që blaugranët të privohen për më pak se 50 milionë euro. Shifër që do të riinvestohej për çesk Fabregas, por kjo çështje është ndërlikuar me kalimin e ditëve. Në Spanjë thonë se Arsenali as nuk dëshiron të zhvillojë tratativa dhe shifrat e vëna për shitjen e tij, tregojnë pikërisht këtë. Në fakt, sipas “The Sun”, “Gunners”-at nuk do të privohen nga mesfushori spanjoll, i rritur në Canteran Blaugrana, për më pak se 80 milionë sterlina, rreth 93 milionë euro. Shumë që Barça nuk ka ndërmend ta shpenzojë, por prapa kërkesës së klubit londinez është një tjetër strategji: të tërheqë zvarrë tratativat deri pas Botërorit me shpresën, se Fabregas të jetë protagonist në Afrikën e Jugut, që do të rriste çmimin e tij. “Por Arsenal duhet të respektojë vendimin dhe vullnetin e lojtarit, thekson Françesk Fabregas, babai i lojtarit, për ‘Radio Marca’. Tratativat do të jenë të gjata, palët duhet të flasin disa herë, sepse çështja është e komplikuar. Djali im tani është i përqendruar te Kombëtarja, por dëshiron që transferimi të mbyllet përpara”. Fabregasi plak kujton, se “çesk i është përgjigjur gjithnjë Vengerit me punën e tij dhe ne i jemi mirënjohës Arsenalit, sepse ka shndërruar djalin tonë në një burrë”. Gjithsesi gjithçka do të vendoset në ditët e ardhshme.
#