Morati: Mou? Gjithçka mbaroi Portugezi ikën te Real Madrid
Ka përfunduar takimi mes Moratit dhe Murinjos. Trajneri portugez ka dalë nga rezidenca e presidentit të Interit, por nuk ka dashur të lëshojë deklarata në lidhje me temat e diskutuara në drekën me patronin zikaltër. Mou ka thënë vetëm se në shtëpinë e Moratit hahet mirë. Po ka folur vetë padroni: “Marrëdhënia është mbyllur, u shpreh ai, qëndrimi i trajnerit ishte ai i një personi që dëshironte të shkonte te Real Madridi”. “Për momentin, ka siguruar ai, nuk ka asnjë kandidaturë për të zëvendësuar portugezin. U zhvillua një bisedë interesante, pasi unë doja të njihesha me situatën. Nuk është përcaktuar kohë, është një zgjedhje për t’u marrë me qetësi, në të mirë të Interit”. Duke lënë rezidencën historike të familjes së tij, Motari ka qartësuar se shpreson, që përtej marrëdhënies profesionale, “të vazhdojë një raport interesant me Murinjon, sepse mund të marrë këshilla mbi Interin nga një person, i cili këtu ka punuar shumë mirë”. Presidenti zikaltër ka theksuar se klauzola e prishjes së kontratës, nëpërmjet së cilës trajneri mund të lirohet, “ka vlerën e saj, por nuk është Murinjo, njeriu me të cilin duhet të flasë”. Në ditët e ardhshme është shumë e mundur që Morati, ose një nga ndërmjetësit e tij, të diskutojë me presidentin e Real Madridit, Florentino Perez. Presidenti zikaltër ka siguruar se nuk është në dijeni të gatishmërisë së Fabio Kapelos për të marrë Interin, por nuk e ka mohuar vlerësimin e tij për trajnerin aktual të Anglisë: “Kemi pasur kontakte në të kaluarën dhe mund të jetë interesante”. Para se të largohej në bordin e makinës së tij, Morati ka lëshuar edhe një batutë: “Gjithsesi nuk mund të tallet askush me mua”. Pasi ka mbyllur në mënyrë të dhimbshme kapitullin trajner, Morati ka rigjetur më pas buzëqeshjen, duke folur për “Pirellone”, ku ka marrë një shpërblim për fitoren e Champions League: “Sapo të bëj llogaritë e asaj çfarë ka ndodhur, do të jem i pari që do të vrapoj përmes qytetit me flamurin në dorë... jam i kënaqur që i kam dhënë lumturi këtij qyteti në një moment krize”. Ndërsa për Murinjon, pas bisedës me Moratin, destinacioni është sërish Madridi. Këtë herë, për të mos u kthyer më: Zhoze Murinjo mbrëmë është takuar me drejtuesit e Realit. Mou ka shkuar të flasë me Florentino Perez. Mbetet ende për t’u përkufizuar pagesa penale për prishjen e kontratës. Gjithsesi Murinjo dje ka shkuar në “Appiano Gentile” jo për të stërvitur Interin, siç ka ndodhur në këto dy vite, por për të marrë gjërat e tij, për të boshatisur zyrën dhe për të përshëndetur në qendrën sportive zikaltër. Mëngjesin e djeshëm, tekniku portugez është nisur drejt Madridit. Dhe Zhoze nuk do t’i mungojë vetëm tifozëve të Interit, por edhe shumë femrave italiane. Ish-trajneri i Interit me shumë tituj është për italianet “njeriu më seksi i botës së sportit”. Ky është rezultati i sondazhit të së përjavshmes "Diva e donna" (që del sot). Pyetjes se “çfarë roli do të donit të kishte në jetën e tyre?”, 48% e italianeve u është përgjigjur pa hezitim: “të të dashurit”. Motivi? “Ka një personalitet të parezistueshëm. është një mashkull i vërtetë”, kanë pranuar 35,6% e të intervistuarave nga 25 deri në 44 vjeç. Dhe 29,2% e femrave nga mosha 18-65 vjeç, e ka kurorëzuar: “Njeriu më seksi në botën e sportit”.
#