E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtaraku, hije dyshimi për tenderin 2.5 milionë euro

• Një tender 2.5 milionë euro, me kredi nga Koperacioni italian do të hapet të premten në Spitalin Ushtarak, për blerjen e një sërë aparaturave të rëndësishme.

 Por një ditë para çeljes së procedurave, disa prej firmave konkurruese hedhin hije dyshimi për paracaktim të fituesve. “Gara po pilotohet për kompani të veçanta. Dyshojmë se po abuzohet me mënyrën se si janë përcaktuar kushtet e garës dhe specifikimet e aparaturave”, pohojnë përfaqësuesit e disa prej këtyre firmave, emrat e të cilave gazeta nuk po i bën publik për shkak të garës që nis nesër. Ata sqarojnë se për aparatura (lote) të veçanta specifikimet teknike bien ndesh me kushtet paraprake të futjes në garë. “Kështu, nëse për t’u futur në tender është vënë kusht që aparaturat duhet të jenë 100% prodhim italian, në mënyrën sesi janë bërë specifikimet teknike të tyre rezulton se kriteret i përmbush vetëm një firmë franceze, gjë që bie në kontradiktë”, kanë sqaruar përfaqësuesit e disa prej firmave. Ata hedhin dyshime gjithashtu edhe për komisionin, i cili do të shpallë fituesit, duke deklaruar se pjesë e tij do të jenë po të njëjtët persona që kanë bërë specifikimet teknike të aparaturave, çka bie sipas tyre ndesh me ligjin e prokurimit publik. Ky ligj përjashton automatikisht pjesëmarrjen e tyre në tender. “Një tjetër fakt që na bën të dyshojmë për transparencën e tenderit është edhe paracaktimi i fituesve për disa aparatura. Kështu për mikroskopin elektronik që do të blihet, sipas specifikimeve për kushtet teknike që ai duhet të plotësojë përpara se të hapet tenderi, rezulton se është vetëm një kompani që përmbush këto kritere. Ajo ekskluzivitetin e saj ia jep vetëm një firme bareze. Çka do të thotë se përpara se të hapet tenderi dihet se kush e ka fituar”, pretendojnë përfaqësuesit e firmave. Ata i kanë bërë thirrje strukturave të posaçme në Ministrinë e Mbrojtjes që të monitorojnë mënyrën e organizimit të këtij tenderi. Kjo, pasi në amullinë e krijuar mund të ketë abuzime me këtë tender.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›