E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelsi, ëndrra është portieri Iker Kasijas

Çelsi po shqyrton atë që mund të jetë operacioni më i madh në merkaton e verës. Klubi anglez është i gatshëm të blejë portierin Iker Kasijas dhe kanë filluar negociatat me njerëzit që qëndrojnë pranë numrit 1 të Realit të Madridit. Trajneri Karlo Ançeloti duket i pakënaqur me Petr Çeh dhe kërkon me çdo kusht "gardianin" spanjoll, për të krijuar një prej skuadrave më të forta në kontinent. Oferta financiare pritet të jetë mjaft e lartë, edhe sepse Çelsi do të bëjë vetëm disa përforcime dhe nuk ka nevojë për ndryshime drastike për projektin e ardhshëm. Kasijas ka shumë admirues në Premiership, madje gjatë sezoneve të kaluara Mançester Junajtid ka provuar të afronte portierin në "Olld Traford". Në të gjitha rastet, Sër Aleks Ferguson është përballur me përgjigjet negative të klubit madrilen, por edhe me refuzimet e vetë lojtarit. Megjithatë, tashmë 27-vjeçari po mendon të ndryshojë skuadër: klubi i ri duhet të përmirësojë rrogën e tij në kontratë dhe mbi të gjitha duhet të paraqesë një projekt fitues. Kushte që janë lehtësisht të realizueshme për blutë e Londrës, gjithsesi fjalën e fundit e ka Florentino Perez.
Në fakt, Kasijas ka kontratë të përjetshme në "Santiago Bernabeu". Gjatë negociatave të fundit, ai rinovoi deri në qershor të 2017-s, ndërsa klauzola për prishjen e kontratës është 150 milionë euro. Portieri ka mjaft peshë në radhët e Realit, por atij i duket sikur është lënë disi në hije pas afrimeve të "galaktikave" të reja gjatë merkatos së verës. Diferencimet financiare me Kaka apo Kristiano Ronaldo janë të ndjeshme dhe lojtari i përfaqësueses spanjolle e ka të qartë se rroga e tij nuk do të ngjitet asnjëherë në nivele të tilla, pavarësisht se mund ta meritojë dhe është një prej pikave të forta të ekipit. Në anën tjetër, strategjia e Çelsit është e qartë: klubi i Roman Abramoviç shpreson që të ketë edhe mbështetjen e futbollistit, në mënyrë që ajo të shërbejë si stimul për arritjen e akordit. Ata do të paraqiten në zyrat e madrilenëve me një ofertë shumë të mirë, që gjithsesi është shumë larg shifrës së përcaktuar në klauzolë. Blutë do të përdorin të njëjtën strategji, me të cilën Florentino Perez ka arritur të sigurojë shërbimet e disa prej yjeve më të mëdha të futbollit: kontaktimin e drejtpërdrejtë të sportistëve, që nga ana e tyre i bëjnë presion klubeve për t‘u larguar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›