E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milani shpërdoron, Barça merr kryesimin e grupit H

MINKS- Milani nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 në Minsk përballë Bate Borisov, duke humbur kështu një shans të artë për të vazhduar betejën me Barcelonën për kreun e grupit H. Në një ndeshje që duhet të shërbente si dhuratë për Antonio Kasanon, kuqezinjtë kanë shpërdoruar shumë raste dhe në pjesën e dytë janë ndëshkuar nga një skuadër shumë më modeste në emra. Zllatan Ibrahimoviç realizoi golin e parë për Milanin në minutën e 22-të, pas një krosi të Robinjos, që suedezi e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë. Më pas, rastet për italianët kanë qenë të shumta, por goli ka munguar. 10 minuta nga nisja e pjesës së dytë, vendasit morën një penallti, që e shndërruan në gol me brazilianin Bresan. Deri në fund, megjithë përpjekjet e skuadrës së Alegrit, goli ka munguar, ndërsa Bate ka patur dy raste të mira për të kaluar në avantazh, por pa arritur.

Ndërkohë, nuk ka falur Barcelona, që ndaj çekëve të Viktoria Plzen ka fituar 4-0. Leo Mesi ishte sërish protagonist i katalanasve, me një tripletë, e dyta në harkun e 3 ditëve. Ai realizoi me penallti në minutën e 24-t, moment kur çekët mbetën me 10 vetë për shkak të kartonit të kuq të Cisovskit. Mesi dyfishoi shifrat në fundin e pjesës së parë, ndërsa në të dytën Fabregas e sërish Mesi, e kthyen në një shëtitje transfertën e kampionëve të Evropës. Barça mori kështu kreun e grupit H me 10 pikë, 2 më shumë se Milani. Të dyja skuadrat gjithsesi, janë të kualifikuara. SURPRIZAT Në takimet e tjera të luajtura mbrëmë, kryefjala ka qenë "surprizë". Kështu, Çelsi nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 ndaj modestëve të Genk, duke mbetur gjithsesi në krye të grupit E me 8 pikë. Ramires kaloi blutë e Londrës në avantazh në minutën e 26-të, ndërsa David Luiz humbi një penallti 13 minuta më vonë. Në pjesën e dytë, belgëve u mjaftoi çerek ore për të barazuar shifrat me Vosen.

Ndërkohë, një surprizë ka qenë edhe barazimi i Arsenalit ndaj Marsejës në "Emirates". Për çudi, kanë qenë francezët ata që janë treguar më të rrezikshëm, por nuk kanë realizuar dot. Në grupin F, fitorja 1-0 e Borusias së Dortmundit ndaj Olimpiakosit ka rihapur sërish llogaritë me kualifikimin. Një tjetër surprizë e mbrëmjes së djeshme ka qenë disfata 2-1 e Portos në Nikozia, përballë Apoelit. Qipriotët kaluan në avantazh në fundin e pjesës së parë, ndërsa 2 minuta para fundit portugezët gjetën barazimin. Ende pa kaluar festa e golit të Portos, Apoeli gjeti edhe golin e dytë dhe të fitores. Në ndeshjet e tjera, spikat fitorja 3-1 e Valencias ndaj Bajer Leverkusen, që ka rifutur në lojë spanjollët. Pas një pjese të parë të mbyllur në barazim 1-1, falë golave të Xhonas e Kisling, në të dytën ishin Soldado e Rami që realizuan për spanjollët, të cilët ngjiten në kuotën e 5 pikëve, 1 më pak se gjermanët. Fitore e rëndësishme edhe për Zenitin, që thuajse nxorri jashtë Evrope Shaktjorin. Ukrainasit kanë vetëm një shans matematikor për t'u kualifikuar.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›