E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miss Globi, 42 vajza spektakël e garë në Pallatin e Sportit

TIRANE- Tanimë gjithçka është gati në Pallatin e Sportit "Asllan Rusi" në Tiranë. Skenografisë i është dhënë dora e fundit, vajzat kanë filluar provat dhe një shpurë e tërë bashkëpunëtorësh të "Deliart Association" po fiksojnë edhe detajet e fundit. Darka e së martës së 1 nëntorit do të prishë qetësinë e arenës së madhe sportive në të dalë të Tiranës. 42 bukuroshe të ardhura nga vende të ndryshme të botës do të garojnë në metropolin shqiptar për kurorën e "Miss Globe 2011". Gjithçka është konceptuar ndryshe sivjet. Gara e bukurisë do të gërshetohet me spektaklin që producentët Petri Bozo dhe Alda Bida kanë menduar për këtë edicion të 38-të. Bëhet fjalë për një spektakël, njësoj të madh sa vetë konkursi, pjesë e të cilit numërohen shumë të ftuar speciale, të huaj dhe shqiptarë. Si organizator për të shtatën herë, por edhe si mbajtës i patentës edhe për dy vitet e ardhshme, Petri Bozo. Sivjet ka menduar diçka vërtetë të veçantë sepse do të jenë vajzat ato që do të shënojnë çeljen e spektaklit dhe madje edhe prezantimin e të ftuarve të parë që do të zbresin në skenë pasi 42 bukuroshet do t'u urojnë mirëseardhjen publikut në sallë, por edhe shikuesve të Televizionit Publik ku ky spektakël do të transmetohet.

Kështu parakalimit të tyre mbi pasarelën madhështore do tu shtohet edhe interpretimi i çiftit të këngëtarëve, një nga më të suksesshmit dhe më të kilikuarit për këtë vit, Anjeza Shahini dhe Dren Abazi. Ndërsa surpriza e mbrëmjes do të jetë një bashkëpunim shqiptaro-italian, i cili premton të dhurojë shumë emocione mbrëmjen e sotme e do të interpretojë me Devis Xherahun. Dyshja e talentuar ka realizuar një duet të bukur në dy gjuhë, shqip dhe italisht, enkas për skenën e "Miss Globe". Gjithashtu me shumë surpriza premton të ngjitet në skenë edhe ylli suedez i popit Michaela De La Cour. Performancës së saj do ti shtohet edhe interpretimi i të tjerë zërave të njohur, si ai i Flaka Krelanit, Big Bastës, Adrian Gaxhes, por dhe një numri special të dancit sportiv, të përgatitur nga shkolla e baletit. Prezantuesja e këtij edicioni do të jetë, Hygerta Sako, gjithashtu një bashkëpunëtore e hershme e "Deliart Association".
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›