Milano,përleshje studentë- karabinierë
Reformat qeveritare sidomos në sistemin arsimor kanë irrituar një valë të gjerë studentësh e pedagogësh në Itali, të cilët prej ditësh vazhdojnë protestat e tyre, deri dje pa incidente. Por Milano dhe Kadorna u kthyen dje në skenë përleshjesh mes studentëve, që manifestonin kundër ministres Gelmini dhe forcave të rendit. Rreth një mijë protestues janë përpjekur të hyjnë në stacion për të bllokuar trenat e “Ferrovie Nord”, por janë ndaluar nga karabinierët, që kishin nën mbikëqyrje zonën. Nga njëra palë janë hedhur gur e shishe dhe nga tjetra gaz lotsjellës dhe më pas një mori ushtarësh nuk e kanë lejuar turmën të avancojë. Bilanci i përplasjeve flet për 10 të plagosur, sipas organizatorëve të studentëve. Para se të mbërrinin në stacionin e trenit studentët kanë përshkuar të gjithë qytetin. Ata kanë kaluar nëpër prefekturë dhe në pikat kyçe të qytetit, me qëllimin për të arritur në metro dhe për të bllokuar qarkullimin e trenave derisa të merreshin parasysh kërkesat e tyre. Që sot kolektivat e studentëve kanë paralajmëruar takime të tjera antireforme si dhe manifestime e protesta të vazhdueshme. Në prag të hapjes së vitit të ri shkollor në Itali, ministrja e Arsimit ka propozuar disa reforma të papëlqyeshme nga studentë e pedagogë, mes të cilave shkurtimin e mbi 1000 vendeve pune për pedagogët.